Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, ka thënë se deri sot 5 subjekte politike e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhjet e 23 prillit në komunat veriore.
Elezi ka thënë se janë subjektet e njëjta që kishin konfirmuar pjesëmarrjen edhe në afatin e vitit të kaluar.
“Kemi marrë gjatë ditës, kemi pranuar konfirmimin nga 5 subjekte politike që janë pjesë e procesit zgjedhor, është Iniciativa Qytetare ‘Mitrovica’, Partia Demokratike e Kosovës, Partija Kosovskih Srba, një kandidate e pavarur dhe Lëvizja Vetëvendosje”.
“Nuk ka ndonjë ndryshim nga aplikimi i kaluar. Mund të ketë ndonjë kandidat qoftë për asamble por kjo do të dihet gjatë këtyre ditëve saktësisht se kush nga kandidatët për asamble vazhdon të mbetet në proces zgjedhor apo edhe në garën për kryetar, këtë do ta qartësojmë gjatë këtyre ditëve”, ka deklaruar Elezi në emisionin “Ditari” në Tëvë 1.
Elezi ka shtuar se afati për aplikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e 23 prillit në komunat me shumicë serbe është 22 marsi.