Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njoftoi se ka bërë kërkesë në autoritet e drejtësisë në Serbi, që 2 qytetarë kosovarë, që janë duke vuajtur dënim në Serbi, të transferohen në Kosovë, përcjell InLajmi.
Haxhiu tha se çdo akuzë ndaj tyre për krimet e pretenduara, duhet trajtuar nga organet e drejtësisë në Republikën e Kosovës.
Postimi i plotë i saj:
Javën e kaluar kam kërkuar nga Ministrja e Drejtësisë në Serbi që 2 qytetarët tanë t’i transferojë në Republikën e Kosovës.
Nezir Mehmetaj dhe Petrit Dula mbahen në Serbi mbi pretendimet për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullatës civile në Kosovë gjatë vitit 1999.
Z.Mehmetaj dhe z.Dula janë qytetarë të Kosovës pra edhe nën mbrojtjen e Republikës. Procesi i deritanishëm ndaj 2 qytetarëve të Republikës së Kosovës është i përbërë nga shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, për vite të tëra.
Çdo akuzë ndaj tyre për krimet e pretenduara, duhet trajtuar nga organet e drejtësisë në Republikën e Kosovës. /InLajmi/