Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, është takuar me pjesëtaret femra të kësaj partie, të cilave u ka shprehur mirënjohjen dhe admirimin për punën e palodhshme në AAK, përcjell InLajmi.
Haradinaj thekson se AAK gjithmonë ka pasur kujdes në raport me rolin e gruas në parti, në shoqëri dhe në institucione.
Ai thotë se partia e tij e konsideron si të domosdoshëm përfaëqsimin e gruas për të siguruar funksionim normal të demokracisë.
Sipas Haradinaj, AAK e kryesuar nga Diellza Kukaj dhe shumë zonja të respektuara, po kthehet në shpresë për gratë e Kosovës.
Postimi i plotë i tij:
Aleanca e Gruas së Kosovës e kryesuar nga Diellza Kukaj dhe shumë zonja të respektuara, po kthehet në shpresë për gratë e Kosovës. Isha i nderuar që bashkërisht të diskutojmë për zhvillimet politike në vend, ato në AAK dhe për rolin e Gruas në Aleancë dhe në institucione. Shpreha mirënjohjen dhe admirimin për punën e palodhshme, në shtëpinë e përbashkët, në Aleancë.
AGK ka shpalosur vizionin e saj në raport me interesat e grave, përfaqësimin e barabartë në çdo instancë politike, shoqërore dhe institucionale. AGK do të jetë aktive në promovimin e barazisë gjinore dhe kërkuese e pandalshme në eliminimin e çdo forme të diskriminimit apo pabarazisë, si në punësim, ashtu edhe në përfaqësim.
Unë personalisht dhe AAK, gjithmonë kemi pasur kujdes në raport me rolin e gruas në parti, në shoqëri dhe në institucione. Përfaqësimin e gruas e konsiderojmë të domosdoshëm për të siguruar funksionim normal të demokracisë dhe kjo bëhet përmes partive politike. Gruaja në Aleanca ka pasur, ka dhe do ta ketë vendin meritor dhe respektin maksimal. /InLajmi/