Interesimi i lartë i kosovarëve për t’u pajisur me viza të vendeve të ndryshme evropiane, ka bërë që edhe keqpërdorimet në këtë proces të rriten.
Ambasadat e huaja në Kosovë muajt e fundit kanë raportuar në Polici shumë raste të pranimit të dokumenteve të falsifikuara nga aplikantët.
Ndër to, sipas Policisë, është dokumenti i kursimeve pensionale në Trust, pasqyra bankare, si dhe certifikata e gjuhës gjermane.
Kodi Penal i Kosovës parasheh dënime të rënda për të gjithë ata që shpallen fajtor.
“Me këto veprime të personave të caktuar, përfshihen t3 vepra penale, e para që ka të bëjë me mashtrimin, e 2 me falsifikimin, kurse e 3 me legalizimin e përmbajtjes së rreme. Të gjitha këto 3 vepra, dënueshmërinë më të lartë e kemi tek falsifikimi që shkon deri në katër vite burgim efektiv”, ka deklaruar Florim Shefqeti – Avokat.
Avokati Florim Shefqeti tregon se veprime të tilla kryhen nga grupe të organizuara.
“Ajo që ne rekomandojmë në këto raste është që të bëhet hetimi i zingjirit të kryerjes së këtyre veprave, sepse pothuajse në asnjë rast nuk mund të ketë person që bënë falsifikimin dhe i njëjti që ta bëjë përdorimin e atij dokumenti. Prandaj, në secilin rast këtu kemi grup dhe në secilin rast do të duhej të hetohej rrjedha e këtyre dokumenteve dhe përdorimi i tyre”, ka shtuar Florim Shefqeti – Avokat.
Në gjithë këtë situatë, vlerësohet se dëmtohet edhe imazhi i shtetit të Kosovës.
“Këto veprime sigurisht që do të dëmtojnë shumë imazhin e Kosovës dhe do të reflektojnë mungesën e efikasitetit të institucioneve të Kosovës, siç janë policia e Kosovës, institucionet e tjera të drejtësisë, të cilat duket se nuk kanë qenë mjaftueshëm efikase në parandalimin e këtyre veprave”, ka theksuar Bedri Elezi – Ekspert i sigurisë, shkruan TV Dukagjini.
Policia e Kosovës nuk ka njoftuar për numrin e saktë të rasteve të tilla, por ka bërë apel që të ndërpritet ushtrimi i kësaj vepre penale.