Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka kujtuar demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, të cilat ka thënë se ishin fillim i “Pranverës së madhe”, përcjell InLajmi.
Krasniqi ka thënë se protestat e 42 viteve më parë ishin artikulim dhe manifestim gjithpopullor i kërkesave politike, ekonomike, shoqërore e arsimore të shqiptarëve.
Ai ka shtuar se duke e njohur peshën e kësaj date dhe duke e vlerësuar rëndësinë e asaj që do të nxiste më pas në vendin tonë, sot, nderojmë studentët e rënë në ballë të këtyre protestave.
Postimi i plotë i tij:
42 vite më parë, mijëra studentë të guximshëm, idealistë dhe me vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës – u ngritën bashkë dhe njëzëri – për të kundërshtuar një sistem shtypës dhe armiqësor.
Shpërthimi qytetar i katër dekadave më parë ishte akumulim i pakënaqësive dhe, njëkohësisht, fillim i “Pranverës së Madhe”, e cila nuk do të përfundonte më deri në çlirimin e Kosovës.
11 marsi i vitit 1981, mbi të gjitha, ishte artikulim dhe manifestim gjithëpopullor i kërkesave tona politike, ekonomike, shoqërore e arsimore.
Duke e njohur peshën e kësaj date dhe duke e vlerësuar rëndësinë e asaj që do të nxiste më pas në vendin tonë, sot, nderojmë studentët e rënë në ballë të këtyre protestave.
Sot, kujtojmë dhe vlerësojmë edhe kontributin e të gjithë studentëve, profesorëve dhe të të gjithë popullit tonë që bashkë nisën ndryshimin e kursit të historisë dhe projektimin e ëndrrave të reja për Kosovën. /InLajmi/