Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur në takim Drejtoren e Përgjithshme të Fondacionit Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, Frauke Bachler, Drejtorin për Evropën Juglindore të IRZ-së, Frank Hupfeld, përcjell InLajmi.
Fondacioni Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar është themeluar me iniciativën e Ministrisë Federale të Drejtësisë në vitin 1992.
IRZ mbështet më shumë se 20 partnerë në projekte reformatore në fushën e drejtësisë, duke dhënë këshilla juridike në përgatitjen e ligjeve, themelimin dhe zhvillimin e institucioneve por edhe përmes promovimit e trajnimeve në shumë fusha. Ajo zbaton edhe projekte të Bashkimit Evropian.
Ekspertiza e tyre kësaj radhe, me kërkesë të Qeverisë së Republikës së Kosovës do fokusohet në luftimin e pastrimit të parave, duke prodhuar kështu rezultat të drejtpërdrejtë dhe rekomandime të qarta brenda përpjekjeve për hartim dhe miratim të Strategjisë Shtetërore kundër Korrupsionit deri në fund të vitit 2023.
Kryeministri Kurti i njoftoi të pranishmit me progresin ekonomik dhe demokratik dhe arritjet në fushën e sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit brenda 2 viteve të fundit.
Ai po ashtu përmendi avancimin e kornizës ligjore, duke përfshirë këtu miratimin e pakos së ligjeve kundër korrupsionit si ai për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. /InLajmi/