Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Prishtinë i ka dërguar njoftim Listës Serbe se nga dita e enjte 9 mars sot deri më 18 mars është afati i fundit për pjesëmarrjen e partive në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës, të cilat duhet të mbahen më 23 prill, transmeton InLajmi.
Por Lista Serbe, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat e veriut të Kosovës për shkak se nuk janë plotësuar kërkesat legjitime të tyre, që edhe i ka shtyrë ata të largohen nga institucionet e Kosovës.
Në njoftim e Listës Serbe tutje theksohet se Prishtina dhe Komisioni Qendror Zgjedhor, po përpiqen që në mënyrë të njëanshme të organizojnë zgjedhje në veri të Kosovës, pa respektuar interesat legjitime të popullit serb dhe kundër vullnetit të qytetarëve.
Kryetarët e 4 komunave në veri të Kosovës, Zveçanit, Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit dhe Zubin Potok, në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, së bashku me këshilltarët dhanë dorëheqje në shenjë proteste kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për rikthimin e detyrueshëm, regjistrimin e veturave me tabela RKS. /InLajmi/