Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj deklaroi sërish se qëndrimi i AAK-së për propozimin evropian është pro, përcjell InLajmi.
Haradinaj tha se kushdo që e kundërshton dhe tenton ta pengojë i bën dëm të madh vendit.
Më tej ai tha se partia e tij e vlerëson ndihmën e aleatëve, në veçanti të ShBA-së ndaj arritjes së kësaj marrëveshje
Postimi i plotë i tij:
Qëndrimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në mbështetje të propozimit evropian për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është qëndrim pro interesave nacionale e shtetërore. Ky është qëndrimi që ka dalë sot nga mbledhja e kryesisë së AAK-së.
Në takim theksova se kjo marrëveshje e propozuar është një e arritur e madhe, duke pasur parasysh rrethanat në të cilat ndodhemi si shtet. Rikonfirmuam mbështetjen tonë ndaj arritjes së kësaj marrëveshjeje, të bindur se kjo i mundëson Kosovës hapjen e perspektives integruese euro-atlantike dhe arritjen e njohjeve të reja. Ky qëndrim është tërësisht në interes të vendit dhe pa ndonjë kalkulim elektoral.
AAK vlerëson ndihmën e aleatëve tanë, në veçanti të ShBA-së ndaj arritjes së kësaj marrëveshje. Kushdo që e kundërshton dhe tenton ta pengojë i bën dëm të madh vendit. /InLajmi/