Qeveria e Kosovës i ka dhënë dritën jeshile projektligjit që rregullon çmimin e produkteve medicinale.
Por, ky rregullim i çmimeve mund të fillojë vetëm kur një veprim të njëjtë do ta merr edhe Kuvendi i Kosovës.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se është hera e parë që nga paslufta që në Kosovë po bëhet një rregullim i tillë.
Sipas tij, vetëm Kosova dhe Bjellorusia nuk kanë pasur një ligj të tillë.
Lidhur, me këtë vendim të Qeverisë, ka folur ish-ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj.
Zemaj ka deklaruar se ky është një hap pozitiv, por nuk ka lënë pa përmendur që po i njëjti projektligj ishte refuzuar vitin e kaluar kur ishte propozuar nga opozita.
“Është një hap pozitiv edhe pse i vonuar, ka tri vite të kësaj Qeverie. Ishte refuzuar po i njëjti projektligj vitin e kaluar që kishte propozuar opozita, por sido që të jetë është një ligj i nevojshëm që të rregullojë këtë fushë e cila nuk ka qenë e rregulluar në aspektin ligjor, përpos rregulloreve dhe disa udhëzimeve administrative në kundërshtim me shumë ligje të tjera”, është shprehur Zemaj.
Por, ka thënë se shpreson se me këtë do të mbrohet interesi i qytetarëve e jo siç ka ndodhur deri më tash për favorizimeve të ndryshme, shkruan FrontOnline.
“Do të shohim dhe po shpresojmë që do të mbrojnë interesin e përgjithshëm dhe jo ndoshta selektiv ashtu siç jemi mësuar me pa deri më tash sepse kemi parë një favorizim subjektiv të institucioneve private shëndetësore por si fushë e rregullimit të çmimit të barnave është tepër e nevojshme dhe e domosdoshme duke pas parasysh se ekziston një lloj katrahurë nëpër farmacitë por edhe me tregtinë me barna në Kosovë”, ka thënë ai.