Në mbledhjen e sotshme të Qeverisë është miratuar projektligji për çmimin e Produkteve Medicinale i cili përcakton çmimet e produkteve medicinale për qarkulluesit e licencuar farmaceutik me shumicë dhe pakicë, përfaqësuesit e mbajtësit të autorizimit për marketing dhe institucionet publike në Republikën në Kosovës.
Kjo nismë ligjore për ish sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj e vlerëson të pa suksesshme.
Tolaj ka thënë se kontrollet e çmimeve kanë një histori të gjatë, por shumë të pasuksesshme. Ato kanë dëshmuar në mënyrë të përsëritur se shkaktojnë mungesa ose teprime dhe nxisin krijimin e tregjeve të zeza, ndërkohë që nuk kanë arritur të zgjidhin problemin aktual që duhej të adresonin. Ky nuk është informacion i ri. Është dhe ka qenë një parim i pranuar gjerësisht nga ekonomistët.
“Nuk kam njohuri se cilin mekanizëm do ta përdor Qeveria e Kosovës për kontrollin e çmimeve të barnave. Rregullimi i çmimeve nga qeveri të vendeve të ndryshme në Evropë dhe ne botë, përdoret për të ulur çmimet farmaceutike. Padyshim qe ky është qëllimi edhe i Qeverisë së Kosovës. Qasjet për rregullimin e çmimeve të barnave përfshijnë kontrollin e rritjes së çmimeve, çmimet referente, çmimet e negociuara, çmimet e bazuara në kosto plus, çmimi i bazuar në vlerë, çmimi përmes tenderëve dhe prokurimi i bashkuar. Megjithatë, asnjë nga kombinimet e politikave të përdorura në këto vende nuk ka dhënë shkallën e kufizimit të shpenzimeve që çdo qeveri ka dëshiruar”, ka shtuar Tolaj.
Ai ka shtuar se në rastin më të mirë, këto qeveri kanë pasur sukses të përzier ndërkohë që çmimet farmaceutike ishin të kufizuara, shpenzimet totale të barnave vazhduan të rriteshin megjithëse me ritme të ndryshme në secilin vend, shkruan IndeksOnline.
“Duhet pranuar faktin se sistemi farmaceutik i Kosovës është në gjendje kaotike, ndikimi i kompanive distributore farmaceutike në qeveri është i paskrupullt e me përmasa kriminale, kurse Qeveria e Kosovës nuk i ka as mekanizmat e as gatishmërinë që të përballet si e sa duhet me ketë problematike. Në vend që të rregullojë tregun farmaceutik dhe ti kontrolloje çmimet e barnave, ky vendim i Qeverise mund të krijojë raporte klienteliste dhe favorizuese për kompani distributore të caktuara, duke i ndëshkuar qëllimisht të tjerat”, thotë Tolaj.




















