Presidentja e vendit Vjosa Osmani, në Ditën Ndërkombëtare të Grave ka vlerësuar lart kontributin e grave në arsim, kulturë, shkencë, biznes, politikë, duke shtuar se ato kanë treguar aftësinë dhe potencialin për t’i arritur majat e suksesit, përcjell InLajmi.
Osmani u bën thirrje grave që të mos ndalojnë kurrë së ëndërruari e besuari.
Presidentja thekson se duhet të punohet më shumë për t’u siguruar që zëri i çdo gruaje të dëgjohet, e që potenciali i çdo gruaje të vie në shprehje maksimalisht.
Postimi i plotë i saj:
Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, le ta kujtojmë forcën, guximin dhe qëndrueshmërinë e jashtëzakonshme të grave dhe vajzave tona. Në arsim, sport, kulturë, biznes, shkencë ose politikë, gratë kanë dëshmuar se janë të afta t’i arrijnë majat e suksesit. Ato munden, sepse kanë potencial.
Le të zotohemi të gjithë që ta bëjmë secili pjesën tonë të punës për t’u siguruar që zëri i çdo gruaje të dëgjohet, që potenciali i çdo gruaje të vie në shprehje maksimalisht. Së bashku, ne mund të krijojmë një botë ku gratë janë të barabarta e të lira për t’i përmbushur synimet e tyre.
Të gjitha grave dhe vajzave të Republikës, sot e çdo ditë: Mos ndaloni kurrë së ëndërruari, por në veçanti, mos ndaloni kurrë së besuari. /InLajmi/