Elmedina Hajdari, është një nga rastet e shumta në Kosovë, që është përballur me dhunë në familje e cila ka qenë sistematike, por ajo është nga rastet e rralla që ka guxuar ta ngrejë zërin dhe ta raportoj dhunën ndaj saj, e cila është shkaktuar nga ish-bashkëshorti dhe familjarët e tij.
Ajo ka rrëfyer për dhunën sistematike me të cilën është përballur me vite, teksa e ka përmendur një rast kur vëllai i ish-bashkëshortit, kishte tentuar ta godasë me veturë kur ajo në krah po e mbante vajzën e saj 1-vjecare.
“Është mbajtur një seancë më 2 mars ku kam kërkuar që vëllai i bashkëshortit të dënohet. Ai ka deshtë të më shkelë me veturë, në krah e kam pasur vajzën e vogël 1 vit e gjysmë. Pres një vendim qysh duhet me marrë, si e kam cekë, në Pallatin e Drejtësisë, ekziston Gjykata e Apelit dhe Supremja, nëse duhet edhe jashtë vendit. Do të luftojë për të gjitha gratë”, ka thënë ajo.
Hajdari, ka thënë se dhunën e shkaktuar nga ish-bashkëshorti dhe familja e tij, e ka raportuar në polici disa herë, por sipas saj ka pasur raste kur policia nuk e ka marrë fare seriozisht, madje e kanë tallur.
Ajo ka treguar se në një rast, disa policë i kishin thënë “s’kemi çfarë të bëjmë, shko nga të duash”, shkruan TV Dukagjini.
“U kam kërku ta marrin rastin në dorë, u kam thënë, jam viktimë dhe jetoj në mes tyre në mes të dhunuesve. Me një fjalë policia ka thënë s’kemi çfarë të bëjmë shko nga të duash. E kam lajmëru IPK-në, e kam thirrë aty është hapur rast ndaj ish-bashkëshortit, por përsëri është liru në procedurë të rregullt”, ka thënë ajo.

















