Anëtaret e Bordit të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës me rastin e 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, kanë premtuar më shumë angazhim rreth punësimit të grave në Kosovë.
Deputetet nga VV, LDK, PDK e AAK akuzuan partitë politike, meqenëse ato bullizohen edhe nga vet bashke partiaket dhe kolegët në Kuvend.
Deputetja e LVV-së, Tinka Kurti tha se angazhimin e saj do ta fokusojë në punësimin e grave, ku gjithashtu premtoi edhe përshpejtim të ligjit për lehonat.
“Sot në Ditën Ndërkombëtare të Gruas jemi bashkë me deputetet e partive tjera. Këtë vit angazhimin tonë do ta fokusojmë më shumë rreth punësimit të grave. Çdo aktivitet do ta lidhim me këtë temë, sepse punësimi është kusht për barazi. Në do të merremi me shumë ligje. Leja e lehonisë do të kenë vëmendjen tonë të shtuar kur ligji do të jetë në Kuvend për miratim. Ne nuk mund të jemi të kënaqur derisa secila grua që kërkon punë të punësohet dhe të ketë siguri në punë”, tha Kurti
Ndërsa, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha tha se gratë nuk paguhen sa burrat, ndonëse e bëjnë punën e njëjtë, shkruan KlanKosova
“Sot pavarësisht që gratë janë pjesë e barabartë e të gjitha kurrikulave dhe profesioneve, në momentin që ato dalin në tregun e punës amplituda bie me rrëmbim të madh në favor të burrave. Në tregun e punës gratë me profesione të njëjta ose nuk gjejnë vende të punës, nuk marrin besueshmërinë e duhur, ose për të njëjtën profesion paguhen më pak se burrat. Andaj synimi ynë është se te aspekti i edukimit çdo vit të ketë programe të ndryshme”, tha Hoxha.