Më 13 dhe 14 mars, i dërguari i posaçëm i BE-së Miroslav Lajçak do të diskutojë planin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe udhërrëfyesin për zbatimin e tij me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Beograd, tha zëdhënësi i BE-së Peter Stano në Bruksel, transmeton InLajmi.
Peter Stano theksoi se këto bisedime janë pjesë e përgatitjeve për takimin e nivelit më të lartë politik më 18 mars në Ohër.
Tutje është bërë e ditur se Miroslav Lajçak do të jetë në Prishtinë më 9 dhe 10 mars, për bisedime të veçanta me kryeministrin e Prishtinës, Albin Kurti.
“Lajçak do të diskutojë në Beograd dhe Prishtinë për modalitetet e zbatimit të “Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”, të cilën të 2 palët e pranuan në takimin e kaluar dhe u pajtuan se nuk nevojiten diskutime të mëtejshme”, tha Stano dhe theksoi se më 18 mars në Ohër, temë qendrore do të jetë zbatimi i marrëveshjes sipas planit franko-gjerman, shkruan TV Pink.
Sipas zëdhënësit Stano, qëllimi përfundimtar i dialogut është nënshkrimi i një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, e cila do të arrihet në fund të dialogut, “por procesi nuk është ende në atë fazë”. /InLajmi/