Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka uruar Ditën e Mësuesit të gjithë mësimdhënësve në festimin e 7 marsit, duke e vizituar mësuesin Osman Jakupin, me të cilin ishin bashkë në burgjet e Serbisë, përcjell InLajmi.
Kurti ka cekur të gjitha përjetimet që Jakupi ka përjetuar në burg dhe në spital dhe duke i kujtuar edhe 4 anëtarët e familjes të cilët i janë vrarë gjatë luftës.
Ai gjatë ditës ka vizituar edhe Afërditën që është vajza e mësueses së Kurtit, për të cilën nuk kanë munguar lavëdatat si studente dhe si profesoreshë e respektuar.
Postimi i plotë i tij:
Mësuesi Osman, i plagosur e i burgosur, dhe Afërdita, vajza e mësueses Nafije
Me mësuesin Osman Jakupi nga Baksi ishim bashkë në burgjet e Serbisë. Ai ishte i plagosur e i burgosur, i malltretuar edhe në spital përveçse i torturuar në burg. Katër anëtarë të familjes i ka të vrarë gjatë luftës, e vetë mësues me ditar në dorë për 45 vjet e 5 muaj.
Ndërkaq Afërdita është vajza e vetme e mësueses sime Nafije Dobruna-Deva. Kur unë isha nxënës i fillores Afërdita ishte studente e Matematikës, pastaj ajo u bë profesoreshë në Gjimnaz e mandej Asistente në Fakultet të Ndërtimtarisë, në lëndët Matematikë I, II dhe III.
Sot, më 7 Mars, i takova për t’ua uruar Ditën e Mësuesit./InLajmi/