Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, në Ditën e Mësuesit 7 marsi, ka uruar gjithë mësuesit shqiptarë kudo që janë, ndërsa theksoi se mësimdhënia është mision sublim, përcjell InLajmi.
Begaj kujton se ka pasur privilegjin të ushtrojë profesionin e mësimdhënies. Ai thotë se e do mjaft mirë se sa mision sublim është të mësosh, të edukosh dhe të përçosh dije tek të rinjtë.
Ai vlerëson lart kontributin e mësimdhënësve.
“Është e rëndësishme të kujtojmë të gjithë mësuesit dhe veprimtarët e shquar të arsimit kombëtar, si drejtuesin e parë të Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë, Pandeli Sotirin, Petro Nini Luarasin, Koto Hoxhin, motrat Qiriazi, si edhe qindra mësues që ishin pionierët e arsimit shqiptar”, tha Begaj.
Postimi i plotë i tij:
Sot, në Ditën e Mësuesit, unë dhe Armanda duam të urojmë të gjithë mësuesit shqiptarë kudo që ata ndodhen për këtë ditë të shënuar!
Ne, gjatë jetës sonë kemi pasur privilegjin të ushtrojmë edhe mësimdhënien, ndaj e dimë mjaft mirë se sa mision sublim është të mësosh, të edukosh dhe të përçosh dije tek të rinjtë.
Në këtë 7 Mars, është e udhës të urojmë të gjithë mësuesit që kanë lënë një shenjë tek ne, që na kanë ndihmuar të bëhemi profesionistë më të zotë, njerëz më të mirë e qytetarë më të denjë për shoqërinë ku ne jetojmë.
Gjithashtu, është e rëndësishme të kujtojmë të gjithë mësuesit dhe veprimtarët e shquar të arsimit kombëtar, si drejtuesin e parë të Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë, Pandeli Sotirin, Petro Nini Luarasin, Koto Hoxhin, motrat Qiriazi, si edhe qindra mësues që ishin pionierët e arsimit shqiptar.
Së fundmi, falënderoj dhe të gjithë mësuesit shqiptarë në diasporë, të cilët bëjnë një punë të jashtëzakonshme në përçimin e gjuhës shqipe tek fëmijët shqiptarë të lindur dhe rritur jashtë vendit.
Gëzuar ditën tuaj mësues të dashur dhe faleminderit nga zemra! /InLajmi/