Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, në 25-vjetorin e Epopesë së UÇK-së ka thënë se rezistenca dhe sakrifica e familjes Jashari për liri janë udhërrëfyesi më i qartë për popullin tonë, përcjell InLajmi.
Sveçla thotë se më 5 mars 1988 nisi kthesa historike e luftës sonë që Serbia gjenocidale nuk e pati menduar.
Ai theksoi se 3 brezat e flijuar të familjes Jashari janë shtylla më e fuqishme e lirisë sonë.
Tutje, ministri theksoi se familja Jashari trasoi rrugën nga e cila nuk mund dhe nuk duhet të devijojmë.
Postimi i plotë i tij:
Në mëngjesin e 5 marsit të vitit 1998 familja e lavdishme Jashari në Prekaz u rrethua nga forca të shumta ushtarake të ushtrisë serbe. Kjo nuk ishte hera e parë e rrethimit të tyre. Angazhimi i tyre ishte fakt i papranueshëm për agresorin serb. Por kjo ishte hera e fundit, sepse këtu nisi kthesa historike e luftës sonë që Serbia gjenocidale nuk e pati menduar. Nisi lufta e madhe për çlirim.
Gra, burra e fëmijë të Jasharajve në përballje të pabarabartë e nën rrethim nuk u dorëzuan për tre ditë me radhë. Serbia me mjetet e saj të rënda të luftës shkoi kundër synimit të vet. Madhështia e saj përmes armëve u sfidua nga madhështia e rezistencës së familjes Jashari. E këtu zuri vend frymëzimi e vullneti i mbarë popullit tonë për një luftë të re.
Tre brezat e flijuar të familjes Jashari janë shtylla më e fuqishme e lirisë sonë. Familja Jashari trasoi rrugën nga e cila nuk mund dhe nuk duhet të devijojmë. Ata na mësuan të gjithë neve se liria është e domosdoshme e se dorëzimi nuk është asnjëherë alternativë.
Rezistenca dhe sakrifica e tyre për liri janë udhërrëfyesi më i qartë për ne në punën për Republikën.
Lavdi të gjithë të rënëve të familjes Jashari!
Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit! /InLajmi/