Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis u ka kërkuar falje familjarëve të viktimave të aksidentit tragjik të trenave në Greqi, duke thënë se “Ne nuk mund, nuk do dhe nuk duhet të fshihemi pas gabimit njerëzor”, transmeton InLajmi.
Një tren pasagjerësh që transportonte më shumë se 350 persona u përplas me një tren mallrash të martën në mbrëmje në Tempi, pranë qytetit të Larisës, duke lënë të vdekur të paktën 57 persona dhe duke lënduar shumë të tjerë.
Protestuesit kanë dalë në rrugë pas aksidentit tragjik dhe kanë akuzuar Qeverinë e Greqisë për aksidentin, pasi siç thonë ata, qeveria është përgjegjëse për pasigurinë e linjave hekurdhore në vend.
Trazirat e reja shpërthyen të dielën, me protestuesit që u përleshën me policinë në Athinë
“Ky krim nuk duhet të mbulohet, ne do të jemi zëri i të gjithë të vdekurve”, ishte një nga sloganet gjatë protestës së së dielës në Athinë.
Në një deklaratë, Mitsotakis tha se nuk duhet të jetë e mundur që 2 trena që lëvizin në drejtime të kundërta “të jenë në të njëjtën linjë dhe të mos vihen re nga askush”, shkruan CNN.
“Si kryeministër i kam borxh të gjithëve, por mbi të gjitha familjarëve të viktimave, një keqardhje të madhe. Si personalisht, ashtu edhe në emër të të gjithë atyre që drejtuan vendin për vite të tëra”, tha Mitsotakis. /InLajmi/