ZRRE ka propozuar që nga muaji prill të rritet çmimi i energjisë elektrike për 14%.
Ata do t’i presin komentet nga Qeveria, ministritë e institucionet relevante dhe nëse do të ketë argumente të arsyeshme kundër kësaj ngritje të çmimit, nuk do të ndodhë.
Lidhur me këtë propozim, njohësi i çështjeve të ekonomisë, Jakup Bellaqa, thotë se kjo ua rëndon jetën qytetarëve, teksa shton se me ngritjen e çmimit të rrymës, rriten edhe çmimet e artikujve bazë për jetë.
“Propozimi i ZRRE-së, për ngritjen e çmimeve prej 14% nga muaji prill, duhet theksuar se produkti i rrymës është apo hyn në listën e produkteve strategjike dhe sa herë kur është ngritur çmimi i rrymës ka ndikuar në mënyrë direkte dhe indirekte edhe në rritjen e çmimeve të artikujve bazik jetësor dhe rritja e çmimeve të artikujve bazik të jetë e rëndon shportën e konsumit të qytetarit dhe e bën të përballueshme për qytetarin si dhe e rritë koston vartëse apo variabile në të bërit biznes”, vlerëson ai.
Sipas tij, kjo do t’i godiste sidomos shtresat me të ardhur të ulëta dhe me skema sociale, andaj ai ka dhe sugjerim se si duhet të veprohet, para se të rritet çmimi i rrymës, shkruan Gazeta Blic.
“Andaj, do të reflektonte në ekonominë e konsumit dhe do t’i godiste sidomos shtresat me të ardhura më të vogla pikërisht shtresa që janë në kategorinë që janë të varura nga skemat sociale. Sugjerimi im është që duhet t’i bëhet një SWOT analizë si në të bërit biznes dhe jetës së qytetarit para se të ngritet çmimi i rrymës”, deklaron Bellaqa.