Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde ka thënë se do të ketë pasoja për moskonstruktivitetin e palëve në dialogun Kosovë-Serbi ndonëse i njëjti ka theksuar se nuk kanë dyshime në një gjë të tillë.
Në një intervistë për RTK, Rohde ka thënë se pret që një vullnet politik të dëshmohet.
“Natyrisht do të ketë konsekuenca për palën që nuk tregohet konstruktive. Mirëpo, ne nuk kemi arsye të dyshojmë në seriozitetin e palëve, që të hënën në Bruksel u zotuan se e pranojnë këtë plan. Prandaj, presim që të dëshmohet vullnet politik për të hyrë në detaje të zbatimit të tij, sepse ne duam që më në fund të kemi një dinamikë pozitive dhe jo një dinamikë të tillë që e pamë një vit e gjysmë e këtej, duke rrëshqitur nga një krizë në tjetrën”, ka deklaruar ai.
Krahas kësaj, Rohde ka thënë se Kosova duhet të tregojë gatishmërinë e saj për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
‘Propozimi është një mundësi e madhe për të bërë një hap të madh përpara për arritjen e një normalizimi gjithëpërfshirës dhe kjo mundësi duhet të shfrytëzohet nga palët. Prandaj, ishte shumë e rëndësishme që palët u takuan në Bruksel dhe u pajtuan në parim për pranimin e këtij propozimi, Megjithatë, disa çështje thelbësore ende kanë mbetur të hapura. Kështu, Kosova duhet të tregohet e gatshme të flasë lidhur me Asociacionin e komunave serbe dhe tani ajo që mbetet është implementimi i aneksit të propozimit, sepse pa u pajtuar për zbatimin e aneksit zor se do të jetë i mundur zbatimi i marrëveshjes. Tani presim që bisedimet të vijojnë në mënyrë konstruktive dhe të dyja palët, të themi ashtu, të tregojnë angazhim politik”, ka deklaruar ai.
Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës të enjten, seancë kjo e cila zgjati deri pas mesnatës morri edhe vëmendjen e Rohde. I njëjti ka thënë se Qeveria aktuale drejtuar nga Kurti ka marrur obligime nga Qeveritë e kaluara gjersa thekson që shpreson se opozita të tregohet konstruktive kundrejt planit franko-gjerman
“I ndjek deklaratat e tyre dhe ajo që mund të them është se nuk ia vlen, pra është kot të flasë për të kaluarën, e kam fjalën për temën e diskutimit lidhur me Asociacionin e komunave serbe. Ekziston një obligim që është bartur nga qeveritë e kaluara tek kjo qeveri, pra nga qeveri të kaluara, që ishte përbërë nga opozita e sotme. Ajo qeveri e përbërë atëherë nga opozita e sotme, kishte marrë obligime që nuk i kishte zbatuar dhe tani qeveri e sotme duhet të ballafaqohet me atë trashëgimi. Personalisht, nga opozita pres përgjegjësi politike shtetërore dhe me këtë rast dua të potencoj edhe një herë se e gjithë bashkësia ndërkombëtare, në mënyrë të veçantë partnerët më të ngushtë të Kosovës, qëndrojnë fuqishëm prapa këtij propozimi. Prandaj, dua të shpresoj se opozita do të ketë sjellje konstruktive dhe këtë temë super politike të mos e shfrytëzojë për lojëra të brendshme politike ashtu siç kishte ndodhur në të kaluarën. Tani bëhet fjalë për të siguruar të ardhmen dhe këtu gjithkush ka përgjegjësinë e vetë politike, në mënyrë të veçantë opozita”, ka deklaruar ai.
Mbështetja gjermane nuk është e vetmja që ka plani franko-gjerman. Rohde ka theksuar se propozimi ka mbështetjen e fuqishme edhe nga amerikanët dhe nga vendet evropiane që nuk janë anëtarë të BE-së si Britania e Madhe, Zvicra, Norvegjia.
Ndonëse marrëveshjet për Asocacionin u arritën në vitet 2013 dhe 2015, ishte Gjykata Kushtetuese, ajo e cila tha se marrëveshja e fundit nuk ishte në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia vazhdon të insistojë në themelimin e Asociacionit, por Qeveria e Kosovës e kundërshton një Asociacionin njëetnik, i cili, sipas saj, do të mund të krijonte një nivel të ri të pushtetit.
Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan më 27 shkurt në Bruksel, me ç’rast, u pajtuan se nuk kanë më nevojë të diskutojnë për propozimin evropian për normalizimin e raporteve në mes 2 vendeve.