Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila, komentoi edhe një herë kërkesën dhe kritikat e opozitës drejtuar Qeverisë së Kosovës për marrëveshjen e arritur në Bruksel, e cila formalisht u pranua nga kryeministri Kurti, raporton InLajmi.
Kusari-Lila theksoi se kërkesat e kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhikut nuk janë për interesin e qytetarëve, por për “inate politike”.
Ajo thotë se sikur partitë opozitare të i kishin këto parime në thelb nuk do t’i nënshkruanin vetë.
“Propozuesi spikati 3 elemente të cilat e tregojnë se kjo kërkesë nuk bëhet në baza të parimeve për interesin e qytetarëve të Kosovës, por në baza të inateve politike mbi gjendjen reale të atij subjekti politik. Kundërshtia në vetvete është si parim, e kanë kundërshtuar marrëveshjen për arsye se duan ta kundërshtojnë dhe jo sepse kanë parime që i listojnë për ta kundërshtuar, sepse nëse do t’i kishin ato parime, për të cilat do të flas më vonë nuk do t’i nënshkruanin vetë”, tha Kusari-Lila në seancën e Kuvendit të Kosovës.
Kusari-Lila akuzoi Abdixhikun se asnjëherë nuk e ka ngritur zërin për problemet në Kosovë sa ka qenë ministër në Qeverinë Kurti I.
“Ti mendon që e ke fatin në dorë, por se qytetarët ju treguan ku e keni vendin dhe zotri Abdixhiku, si ish-ministër as edhe një herë nuk të kam dëgjuar të ngrisësh zërin për mini-shcengenin, për moratariumin, për rrëzimin e Qeverisë Kurti I dhe problemet me të cilat është përballur vendi”, tha ajo. /InLajmi/