Edhe pse kontributi i tyre gjatë dhe pas luftës në Kosovë ishte tejet i lartë, emra të rëndësishëm të vendit vazhdojnë të mbahen në Hagë, në kuadër të procesit gjyqësor të Gjykatës Speciale.
Në mesin e atyre të cilët vazhdojnë të gjykohen në Hagë, e disa tashmë të dënuar me disa vite burg janë edhe ish-krerë të institucioneve të larta të Kosovës.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish kryekuvendari Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Hysni Gucati, Nasim Haradinaj e shumë të tjerë ende janë pjesë e procesit të Speciales.
Derisa të njëjtit po vazhdojnë të mbahen në Hagë, në jetën e tyre u përballën edhe me humbje të më të dashurve.
Shumë prej emrave të lartcekur pikërisht gjatë kësaj kohe kanë humbur prindërit e familjarë të tjerë të afërt.
Gjatë qëndrimit në burg, ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka humbur të 2 prindërit.
Babai dhe nëna e Veselit humbën jetën brenda disa muajve. Në moshën 93 vjeçare, nëna e ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, Ajshe Veseli vdiq në fshatin Broboniq të Mitrovicës.
Ndërsa më 7 korrik të vitit 2021 nga jeta është ndarë edhe babai i Veselit.
Me humbjen e një personi të dashur u përball edhe Hysni Gucati. Ish-kreu i Organizatës së Veteranëve në Kosovë, Hysni Gucati humbi babain derisa mbahej si i burgosur në Hagë.
Avdullah Gucati, babai i Hysni Gucatit kreut të OVL-UÇK-së, humbi jetën më 27.05.2022. Ndryshe Gucati dhe Haradinaj më 18 maj 2022 ishin shpallur fajtorë nga Gjykata Speciale. Gucati e Haradinaj u gjetën fajtor sepse mes datave 7 dhe 25 shtator 2020 shpërndanë pa autorizim informacione konfidenciale dhe jopublike në lidhje me hetimet e Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së. Haradinaj dhe Gucati akuzoheshin se gjatë shtatorit të vitit bën 2020, bën deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me ZPS-në dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata, ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.
Pas vdekjes së babait, Hysni Gucati ishte liruar për vizitë të mbikëqyrur në Kosovë.
“Po, për shkak të arsyeve humanitare bindëse, Trupi Gjykues ka udhëzuar Zyrën Administrative që të menaxhojë një vizitë nën mbikëqyrje në Kosovë për të takuar familjen e ngushtë. Z. Gucati mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, ishte thënë asokohe nga Specialja.
Hysni Gucati kishte ardhur në Kosovë për vizitë edhe më 12 maj derisa babai i tij ishte i sëmurë, shkruan lajmi.net.
E sot nga jeta është ndarë edhe vëllai i Nasim Haradinajt. Ish-luftëtari i UÇK-së Agron Haradinaj njoftohet të ketë ndërruar jetë sot, ndërsa ngushëllime ndaj familjarëve e miqve të tij kanë shprehur edhe emra të rëndësishëm të politikës e shoqërisë në vend. Madje në Kuvendin e Kosovës është mbajtur edhe një minutë heshtje në shenjë nderimi për të dhe veprën e tij.