Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Kosovës, në partneritet me BE-në në Kosovë, dhe qeveritë e Zvicrës, Suedisë dhe Norvegjisë, ndanë sot Grantet e Performancës Komunale në vlerë prej 7.85.000.000 për 6 komunat me performancën më të mirë në Kosovë, përcjell InLajmi.
Grantet iu dhanë Gllogocit, Lipjanit, Obiliqit, Vitisë, Gjakovës dhe Klinës, për performancën e tyre të mirë gjatë vitit 2021 në fushat e qeverisjes demokratike, menaxhimit komunal dhe ofrimit të shërbimeve publike, ndër të tjera.
Nga shuma totale për grantet, MAPL ka siguruar 3.500.000 euro, ndërsa partnerët ndërkombëtarë kanë kontribuar me 4.35 milionë euro të tjera.
Si komunat më të dalluara nga komunat me performancën më të mirë, sipas grupit të treguesve të përcaktuar qartë, Gllogoci – vendi i parë, Lipjani – vendi i 2 dhe Obiliqi – vendi i3 , morën shuma më të larta për t’i stimuluar që ta përmirësojnë më tej transparencën, llogaridhënien dhe përgjegjshmërinë e tyre, dhe të ofrojnë shërbime cilësore që përputhen me nevojat e qytetarëve të tyre.
Elbert Krasniqi, Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, ka theksuar disa nga hapat e ndërmarrë nga MAPL-ja në mënyrë që konkurrenca ndërmjet komunave të jetë e drejtë, transparente dhe e barabartë. /InLajmi/