Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Avdullah Hoti, i ka reaguar ashpër shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lilës, pasi kjo e fundit tha se “Qeveria e Hoti ishte me mandat jokushtetues dhe nënshkroi moratoriumin në kundërshtim me Kushtetutën”, raporton InLajmi.
Hoti kritikoi Kusari-Lilën për ndryshim të partive dhe qëndrimeve, duke i thënë “zelli juaj për t’i shërbyer shefave që i ke ndërruar vazhdimisht është i gërditshëm” derisa theksoi se kushdo që ka gjasa të fitojë Kusari-Lila do t’i shkojë mbrapa.
Tutje deputeti Hoti përmendi edhe një rast kur partia e tij kishte gjasa të fitonte ndërsa kujtoi se Kusari-Lila u kishte thënë deputetëve në vitin 2017, kur Hoti kandidonte për kryeministër se “çfarë kryeministri ka me qenë zotri Hoti”
“Po mundohem të jem i kujdesshëm që t’i reagoj zonjës Kusari me mashtrimet zotrit Kurti, do të merrem me fjalën time të rregullt. I tha shumë qartë zotri Abdixhiku, po zelli i saj me iu shërbyer shefave që i ka ndërruar vazhdimisht është i gërditshëm, është i poshtër. Po ia përmendi vetëm një fakt në fushatën e vitit 2017 se a din që kush i ka gjasat më të mira i shkon prapa, i ka shkuar PDK-së mbrapa, na ka ka ardhur neve mbrapa në vitin 2017 kur i kemi pasur gjasat me fituar, nuk i linte kandidatët e LDK-së me folë në fushatë zgjedhore, duke i thënë “çfarë kryeministri ka me qenë zotri Hoti, e kur nuk fituam na la shkoi në partinë tjetër”, tha Hoti në seancën e Kuvendit të Kosovës. /InLajmi/