Në aktakuzën e 27 shkurtit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar janë publikuar emrat e viktimave që dyshohet se janë vrarë ose zhdukur nga pjesëtarët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Lidhur me këtë, avokati Skënder Musa thotë se kjo nuk ndodh në shumicën e vendeve ku vepron shteti juridik.
Por siç bën të ditur ai, Ligji për Dhomat e Specializuara nuk ka ndonjë dispozitë që e ndalon prokurorin të publikojë emrat e viktimave apo dëshmitarëve.
“Nga ana e Prokurorisë nuk ka ndodhë dhe nuk ndodh në shumicën e vendeve ku vepron shteti juridik që të publikohen listat e viktimave para se të fillojë procesi gjyqësor dhe aq më pak nga ana e prokurorit. Megjithatë kodi i procedurës penale dhe ligji për Dhomat e Specializuara nuk ka ndonjë dispozitë që e ndalon prokurorin të bëjë publikimin e emrave të viktimave apo të dëshmitarëve, por prokurori është organ që bën hetime, mbledh prova, interviston dëshmitarët”, potencoi ai.
Musa theksoi se rreziku potencial për frikësimin e dëshmitarëve mund të ekzistojë, por që “nuk beson se do të ndodh gjë me emrat e publikuar”.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020, shkruan TëVë1
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Krasniqi e Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.




















