Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, këtë të martë në Komisionin për ekonomi, raportoi për planin e punës për vitin 2023, raporton InLajmi.
Derisa shpalosi detaje nga plani i punës, ministrja Rizvanolli vuri në theks disa nga aktivitete e ndërmarra për kursimin e energjisë elektrike, me ç’rast theksoi se në vitin 2022 janë konfiskuar gjithsej 600 pajisje për mihje të kriptovalutave në veri të Kosovës.
“Gjatë kësaj periudhe të masave emergjente është ndaluar përdorimi i energjisë elektrike për mihje të kriptovalutave, aktivitet që zhvillohet në ekonominë e hirtë dhe mendoj që kjo ka pasur një efekt në të gjithë vendin, përfshirë këtu edhe në komunat në veri të Kosovës ku janë konfiskuar mbi 600 pajisje në 8 ferma të kriptovalutave të cilat gjatë vitit të kaluar janë shkatërruar në veri nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës”, deklaroi Rizvanolli.
Më tej ajo shtoi se sa i përket subvencionimit të faturave të qytetarëve, nga muaji shkurt 2022 deri në janar të këtij viti janë ndarë mbi 89.000.000 euro. /InLajmi/