Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve prezantoi konceptin e Skemës së Garancisë Rinore dhe Planin e Implementimit të saj para donatorëve dhe organizatave partnere, përcjell InLajmi.
Skema e Garancisë për Rininë është prioritet i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor dhe synon që secilit të ri nën moshën 29 vjeçare t’i ofrohet një ofertë cilësore punësimi, arsimimi, praktike ose trajnimi.
Përfaqësues nga Ministria e Financave u shprehën se “ky program përfaqëson një investim të rëndësishëm në të ardhmen e rinisë së Kosovës”.
Postimi i plotë nga Ministria e Financave:
Prezantimi i Konceptit dhe Planit të Zbatimit të Garancisë Rinore
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve prezantoi me sukses konceptin e Skemës së Garancisë Rinore dhe Planin e Implementimit të saj para donatorëve dhe organizatave partnere. Kjo ngjarje u dha mundësinë të pranishmëve të mësojnë më shumë lidhur me zbatimin e Skemës në Kosovë dhe mundësitë për t’a mbështetur realizimin e saj.
Skema e Garancisë për Rininë është prioritet i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor dhe synon që secilit të ri nën moshën 29 vjeçare t’i ofrohet një ofertë cilësore punësimi, arsimimi, praktike ose trajnimi. MFPT tashmë ka miratuar Planin e Implementimit të Skemës i cili synon t’u sigurojë të rinjve aftësitë, njohuritë dhe përvojën e nevojshme për të bërë një tranzicion të suksesshëm nga arsimimi në punësim.
“Jemi të lumtur që Kosova është bërë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që e ka prezantuar Planin e Zbatimit të Garancisë Rinore, e cila edhe njëherë konfirmon përkushtimin e Kosovës në zbatimin e kësaj skeme evropiane” tha z. Johannes Madsen Shef i Zyres për Bashkëpunim me BE-në në Kosovë.
Në anën tjetër, përfaqësuesit nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve u shprehën se “ky program përfaqëson një investim të rëndësishëm në të ardhmen e rinisë së Kosovës dhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit tonë.” Gjithashtu, ata shprehën mirënjohjen ndaj partnerët ndërkombëtarëve për bashkëpunimin e vazhdueshëm në zbatimin e suksesshëm të kësaj skeme.
Përgjatë takimit, përfaqësuesit nga organizatat partnere patën mundësinë të ndajnë përvojat, mendimet dhe sugjerimet e tyre rreth implementimit dhe kjo mundësoi shkëmbimin e ideve dhe praktikave më të mira për punësimin dhe fuqizimin e të rinjve.
Plani i zbatimit të Garancisë Rinore është një hap thelbësor drejt krijimit të një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe të barabartë. Andaj, duke investuar në potencialin e të rinjve, ne po investojmë në të ardhmen e ekonomisë dhe komunitetit tonë. /InLajmi/