Lideri i PDK-së Memli Krasniqi ka bërë homazhe në kompleksin e varrezave të dëshmorëve dhe martirëve të Likoshanit dhe Çirezit, në nderim të sakrificës dhe flijimit të atyre që ranë heroikisht për lirinë e vendit, përcjell InLajmi.
Këto homazhe Krasniqi i bëri për nder të 25-vjetorit të Betejës së Likoshanit dhe Çirezit.
Postimi i plotë i tij:
25 vjet nga Beteja e Likoshanit dhe Çirezit, ku forcat policore e paramilitare serbe, në pamundësi të ballafaqimit me njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryen një nga masakrat më të tmerrshme në rajonin e Drenicës, duke vrarë në mënyrën më barbare burra, gra e pleq të paarmatosur.
Sot, me kolegë e bashkëpunëtorë nga Partia Demokratike e Kosovës, bëmë homazhe në kompleksin e varrezave të dëshmorëve dhe martirëve të Likoshanit dhe Çirezit, për të nderuar sakrificën dhe flijimin e atyre që ranë heroikisht, që ne ta gëzojmë jetën në Kosovën e lirë.
Lavdi e përjetshme! /InLajmi/