Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u pajtuan të hënën me propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve.
Sipas shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, të 2 udhëheqësit treguan sjellje të përgjegjshme dhe gatishmëri për të gjetur zgjidhje.
Kosova dhe Serbia ranë në ujdi për propozimin evropian duke thënë se duhen bisedime për zbatimin e tij, opozita ka reaguar me kritika ndaj kryeministrit Kurti.
Anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme, deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti tha se Kurti është dashur ta nënshkruaj planin franko-gjerman.
Haliti tha se Qeveria ka vetëm një detyrim për Asociacionin.
“Të 2 palët janë deklaruar për marrëveshjen e BE-së, por nuk është nënshkruar. Albin Kurti është dashur ta hedhë firmën në këtë marrëveshje pa marr parasysh a e nënshkruan Vuçiqi apo jo. Asociacioni është çështje e Kurtit, ai e ka pasur kauzë por është nënshkruar si marrëveshje, tani duhet me bërë statut ky është detyrimi i qeverisë së Kosovës. Statuti duhet me qenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh Haliti.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë mbrëmë se me këtë propozim për normalizimin e raporteve me Serbinë, Kosova ka humbur njohjen e ndërsjellë dhe ka pranuar që ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, shkruan Frontonline.
Edhe LDK-ja u shpreh kritike ndaj Kurtit, duke argumentuar se propozimi nuk përfshin njohjen, por parasheh zbatimin e marrëveshjeje për Asociacionin.
Ndërkaq, mendim ndryshe shprehu kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i cili e cilësoi si “arritje të madhe” pranimin e propozimit evropian.




















