Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Doarsa Kica-Xhelili, ka adresuar kritika në drejtim të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbresha Kryeziu-Hyseni për uzurpim të Komisionit Parlamenar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, përcjell InLajmi.
Kica-Xhelili pretendon se kryetarja e këtij komisioni i ka dërguar letër senatorit amerikan Robert Mendez dhe deputetes britanike Alicia Kearns pa u konsultuar fillimisht me komisionin, e këtë Kica-Xhelili e quan “skandal amator”.
Sipas Kica-Xhelilit, këta deputetë nuk janë duke i kuptuar rolet brenda komisioneve.
Postimi i plotë i saj:
Uzurpimi amatoresk i Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë
Zëvendësuesja e deputetit Haki Abazi që dikur kryesonte Komisionin, Arbëreshë Kryeziu Hyseni, dje i paska dërguar letër senatorit amerikan Robert Menendez, e sot deputetes britanike Alicia Kearns, në cilësinë e Kryetares së Komisionit në fjalë, pa asnjë koordinim me anëtarët e këtij Komisioni, ku unë përfaqësoj LDK-në.
Fatkeqësisht, asaj nuk mund t’i drejtohem me kritikë sepse kritika jepet aty ku pritet reflektim. Por, e vlerësoj të domosdoshme që qytetarët të njoftohen me këtë mendësi.
Pra, përveç që nuk e kuptojnë institucionin, natyrshëm nuk i kuptojnë as rolet përbrenda tyre. Kryetarët e komisioneve nuk kanë të drejtë që të marrin e mbajnë qëndrime pa mbështetje të komisionit (përveç kur ato i japin në cilësi personale të deputetit) e aq MË PAK në tema të rëndësisë nacionale nga politika e jashtme.
Po të mos ishte skandal amator i përfaqësimit tonë në politikë të jashtme, do ta lija që gjatë kësaj përmbushjeje të egove personale t’i mësojnë 2-3 gjëra edhe për funksionin e rolit të kryesimit të komisionit. POR, roli institucional nuk do të duhej të kishte periudhë provuese, sidomos jo pas 2 vitesh qeverisje. /InLajmi/