I pari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se takimi i të hënës mes kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiq do të shënojë fillimin e një faze të re të procesit të dialogut ku njohja nuk do të jetë më temë fare, përcjell InLajmi.
Krasniqi ka thënë së i gjithë ky rezultat është si pasojë e 2 viteve të keqmenaxhimit nga Qeveria Kurti në procesin e dialogut.
Kryetari i PDK-së tha se Qeveria ka pranuar planin e BE-së, ai nuk përmban asgjë konkrete, as për njohje reciproke, as për njohje nga pesëshja e BE-së dhe as për anëtarësim në NATO.
Postimi i plotë i tij:
Të hënën, në Bruksel, nuk do të ketë marrëveshje finale gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen e ndërsjellë në qendër. Përkundrazi, 27 Shkurti i këtij viti do të shënojë fillimin e një faze të re të procesit të dialogut, ku njohja e ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë nuk do të jetë më fare temë diskutimi.
Kjo fazë e re është rezultat i drejtpërdrejtë i 2 viteve të keqmeaxhimit të dialogut nga Qeveria Kurti.
Pavarësisht nga takimi i së hënës, qeveria, tashmë publikisht, e ka pranuar planin e propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, nga ajo që është parë deri tash, plani në vetvete nuk përmban pothuajse asnjë përfitim konkret për Kosovën. Aty nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa njohja e ndërsjellë është jashtë çdo diskutimi.
Për më keq, nga deklaratat publike të zyrtarëve ndërkombëtarë, shihet qartë se fokusi nuk është në arritjen e objektivave të lartëcekura, por është në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Pra, takimi i së hënës është takim për Asociacionin e jo për njohje. Sepse, qeveria, me paaftësinë e saj, e ka degraduar dialogun nga arritja e qëllimit të marrëveshjes finale me njohje në qendër, në marrëveshje kalimtare me Asociacionin në qendër./InLajmi/