Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka reaguar pas kryeministri i vendit, njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar drejtësi për rastin e Astrit Deharit.
Kurti në mbledhjen e 50-të të Këshillit të Përgjithshëm të partisë së tij, ka thënë se Dehari është “viktimë e padrejtësisë kriminale në burgjet e Kosovës së pavarur”.
Por sipas Berishës, vetë LVV-ja i ka vrarë apo i ka shtyrë në vetëvrasje 2 aktivistët e saj Arbnor dhe Astrit Dehari.
“Revolucioni i ha bijtë e vet! Është normale një reagim me fyrje nga klani i vrasësve dhe shtytësve në vetëvrasje. Të vrasësh apo shtyesh në vrasje te dy djemtë Dehari, të ua zhdukësh mostrat nga laboratori i Mjekësisë Ligjore që është në kompetencë direkt të Ministrisë së Drejtësisë, e ta etiketosh me gjuhë fyese, njeriun/deputetin i cili të kërkon llogari në Kuvend për krimet monstruoze të natyrës revolucionare (vrasje për të ardhur në pushtet), është i pakët fjalori i “vrasësve revolucionar” që u ka ardhë dita!”, ka shkruar deputeti në Facebook, teksa ka kujtuar përplasjen e fundit me deputetët e LVV-së dhe ministren Albulena Haxhiu në Kuvend, lidhur me rastin Dehari.
Tutje, Berisha ka deklaruar se në rastin e parë të ardhjes së PDK-së në pushtet, LVV-ja do të hetohet për zhdukjen e mostrave të Deharit dhe për shumë vepra të tjera.
“Po ju them këtu, meqë sot, kuvendin e Republikës së Kosovës (Tempullin e fjalës së lirë) e ka okupuar egërsia, ku më as autoriteti i Kryetarit nuk arrinë të krijojë mundësinë e reagimit konstruktiv, se në rastin e parë të ardhjes së PDK në pushtet, do të hetoheni për këto “mostra” dhe të gjitha veprat tjera që po i konsumoni për ditë, edhe s’do të keni qare pa i gjetë, edhe nëse i keni futur atje në shpellat e Karpateve prej nga e keni origjinën ideologjike”, ka përfunduar ai, shkruan Lajmi.net.
Ndryshe, Berisha në seancën e Kuvendit të enjten e përmendi rastin e Astrit Deharit duke akuzuar Qeverinë Kurti për ndërhyrje direkte. Ai po ashtu tha se Lëvizjes Vetëvendosje nuk i konvenon zbardhja e këtij rasti. Kjo i nervozoi shumë deputetët e partisë në pushtet dhe ministren Haxhiu, të cilët duke bërë zhurmë nga ulëset e tyre u munduan që ta pengojnë fjalimin e Berishës. Madje, Haxhiu u ngrit edhe në këmbë duke iu drejtuar deputetit opozitar me fjalët “Marre të koftë. Juve ua kisha ndalu me ligj me fol për rastin e Astrit Deharit sepse ju keni qenë në Qeveri kur është vrarë Astrit Dehari”.