Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se institucionet e drejtësisë duhet të tregojnë fakte nëse ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është vërtetë i përfshirë në operacionet e kompanisë GEN në Ballkan.
Konjufca tha se kur kjo gjë të faktohet, institucionet kosovare do të ndërmarrin masa ndaj tij. Ai ka thënë se ka kërkuar disa herë evidencë për veprimtarinë e Berishajt, por që tha se ende nuk ka marrë asgjë.
“Jo duhet me dalë institucionet e drejtësisë dhe me thënë se Martin Berishaj ka bërë krime dhe vepra penale. Deri atëherë ju ftoj të gjitha faktet me i prezantu, mirëpo në bashkëpunim me të gjitha shtetet që jemi deri tani dhe të gjitha çfarë u kemi kërkuar, diçka që tregon ndonjë evidencë nuk kemi asgjë deri tash. Në momentin që do t’i marrim ato, besoj se Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme do të veprojë”, tha ai
Konjufca është pyetur edhe rreth kushteve të gazetarëve në Kuvendin e Kosovës. Shpesh herë, gazetarët aty detyrohen të ulen shkalleve të hapësirave si mungesë e ulëseve.
Konjufca e ka pranuar që ka pak ulëse, ndërsa ka premtuar se do ta autorizojë Administratën e Kuvendit se do t’u sigurojë kushte më të mira për gazetarët.
“Me sa e kam parë janë disa ulëse aty në prapavijë. Ti mund të thuash se ka pak ulëse dhe kur vijnë gazetarët dhe ti mund të thuash se ka pak”, tha Konjufca, teksa premtoi se do ta autorizojë Administratën për t’i shtuar ato shkruan Ekonomia Online.
“Do t’i shtojmë ato, së shpejti. Atë ditë kur të vini do t’i gjeni ulëset, tash po e lajmëroj Administratën dhe e rregullojmë këtë çështje”, tha Konjufca.