Prokuroria Speciale nuk e ka lejuar avokatin Tomë Gashin që të marrë pjesë në intervistimin e deputetit Haki Abazi, i cili javën e kaluar deklaroi se ekzitojnë video-incizime për zhdukjen e provave të rastit Dehari, raporton InLajmi.
Avokati Gashi përmes një shkrese ka kërkuar që të marrë pjesë në intervistimin që do t’ia bëjë Prokuria Speciale deputetit Abazi.
“Unë faktikisht kam menduar që ai do të veprojë ashtu siç veproi tani që thjesht nuk lejoi që me marrë pjesë në cilësi të avokatit, përfaqësuesit juridik të familjes Astrit Dehari dhe i ka njoftuar zyrtarët përkatës, mos të më lejojë pjesëmarrjen gjatë dëgjimit të deputetit Haki Abazi. Deputeti veç ka hy në zyrën e prokurorit dhe besoj që intervistimi i tij ose ka filluar ose do të fillojë për pak minuta. Këto janë çështje procedurale dhe për këtë arsye kam paraqitur një shkresë paraprakisht sepse prapë po them që duke e ditur mostransparencën e prokurorit Afrim Shefkiut në rastin e hetimit të vrasjes së Astrit Deharit”, tha ai.
Sipas Gashit, zhdukja e mostrave të mjekësisë ligjore ka të bëjë drejtpërdrejt me dëmtimin e hetimit të këtij rasti.
“Pra zhdukja e mostrave të mjekësisë ligjore ka të bëjë drejtpërdrejt me dëmtimin e hetimit të këtij rasti ku unë kam paraqitur një shkresë në bazë të secilës kam kërkuar që prokurori i rastit Afrim Shefkiu të na njoftojë me shkrim arsyet e moslejimit të pjesëmarrjes sime në dëgjim gjatë dëshmitarit Haki Abazi. Kështu që unë do të jem faktikisht në pamundësi ta dijë se çfarë po deklaron deputeti Haki Abazi në deklaratën e tij në cilësi të dëshmitarit dhe ju mbetet juve që ta intervistoni pas daljes së tij”, deklaroi Gashi. /InLajmi/