Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani ka thënë se nga muaji mars, çmimi i derivateve do të bie dukshëm. Sipas Berjanit, çmimi i derivateve në Kosovë është më lirë krahasuar me vendet e rajonit.
Berjani ka thënë se vendimi i fundit i Ministrisë së Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është i njëanshëm por që thotë se janë duke e respektuar.
Ai thotë se nuk kanë qenë të ftuar të marrin pjesë në konsulta ditën kur është marrë vendimi për marzhën e fitimit.
“Sa i përket vendimit të Ministrisë së Tregtisë ky është një vendim i cili është nxjerr pa prezencën tonë, ku obligative ka qenë që pjesë e këtij vendimi për tu nxjerr është dashur që të jetë edhe Shoqata e Naftëtarëve. Po ne si shoqatë dhe si biznese të sektorit të naftës vendimi është duke u respektuar dhe u respektua me kohë. Ky vendim është pak më ndryshe se 2 vendimet e kaluara ky është me marzhe tregtare apo marzhe fitimi. Marzha e fitimit është për importues 2 cent, ndërsa me pakicë është 12 cent. Nuk është e mjaftueshme kjo marzh, por vendimi po respektohet në gjithë Kosovën”, thotë ai.
Ata të cilët e kanë keqpërdorur unë jam për ti gjykuar, po unë nuk kam informata se dikush ka keqpërdorur, ato informata në qoftë se i ka Ministria e Tregtisë duhet që të merret me ta. Jo tash për 2-3 kompani qoftë se kanë keqpërdorur të pësojnë 650 pika karburanti.
Berjani ka thënë se çmimi derivateve në Kosovë është shumë i ulët. Çmimi aktual në 3 është rreth 1.35 cent për litër.
“Sa i përket çmimit të derivateve të naftës, çmimi sot sillet një litër dizel një euro e 35 cent, ndërsa benzina një, euro e 32 cent. Jemi më të lirët në regjion përveç Maqedonisë së Veriut, kështu që qytetarët tonë janë me një çmimi real duke u furnizuar në treg. Sipas informatave që i kemi nga organizata prodhuese ‘OPEK’, është një realitete dhe pritet që muaji mars të jetë ende me çmim të derivateve më të lirë. Kështu që mendojmë sipas organizatës prodhuese ‘OPEK’ e cila e ka nxjerr një vendim thuhet se fundi i marsit do të jetë stabilizim i tregut në tërë globin”, u shpreh ai.
Ndërsa për kërkesat e opozitës që të largohet përkohësisht akciza e naftës, Berjani i konsideron si të padrejta. Thotë se me të mbushet buxheti i shtetit.
“Unë as një herë nuk e kam kërkuar heqjen e akcizës edhe kur ka qenë kryeministri Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, tash Albin Kurti, as një herë nuk kam kërkuar se mbushte buxheti i Kosovës edhe shumë parti politike më tepër janë duke e bërë spektakël mediatik partitë politike, për të fituar poenë politikë që kërkojnë me heq akcizën, ata e dinë që akciza e mbush buxhetin dhe nuk duhet që të kërkohet. As nuk e kam kërkuar dhe prapë nuk e kërkojmë”, thotë ai, teksa tregoi edhe për çmimet që sillen në rajon, tha ai për EO.
“Sot një litër dizel në Shqipëri është një euro e 75 cent, benzina një euro e 78 cent, kështu që për 40 cent ne jemi më të lirë nga Shqipëria. Atje ka shumë taksa shtesë, ne e kemi përveç akcizës dhe tvzh-së, ata kanë edhe të rrugëve edhe kanë taksa shtesë tjera”, thotë Berjani.