Bullizmi si fenomen shoqëror po bëhet gjithnjë e më shqetësues, kjo për faktin se viteve të fundit edhe shkollat janë bërë “vatër” e sjelljeve bullizuese, e fëmijët janë ata që vuajnë pasojat e përballen me ndjenjën e të qënurit i kërcënuar, i pasigurtë, i frikësuar, në ankth, e i izoluar, shkruan InLajmi.
Në shumicën e shkollave të Kosovës, problematikë vazhdon të mbetet mungesa e psikologëve dhe pedagogëve për të trajtuar raste të tilla, e kështu nxënësit duke mos gjetur një “derë” për t’u drejtuar dhe hapësirë të duhur për të biseduar me prindërit apo mësuesit shpeshherë bien pre e sjelljeve të vazhdueshme bullizuese dhe mbyllen në vetvete.
Psikologu Yll Avdijaj, në një deklaratë për InLajmin thekson se jo vetëm shkollat, por edhe mjediset familjare janë “vatër” e sjelljeve bullizuese, pasi siç thekson Avdjaj, këto mjedise me klimën e tyre toksike i kontribuojnë krijimit të viktimave dhe bullizuesve.
“Kur flitet për bullizmin, duket se shkollat janë bërë qendrat kryesore dhe më të zakonshme ku vërehet ky lloj fenomeni. Mirëpo ajo që duhet të dimë ështe se, jo vetëm shkollat janë vatra të bullizmit por janë edhe mjediset familjare të cilat zakonisht i kontribuojnë paraprakisht kësaj dukurie direkt apo indirekt në krijimim e viktimave e poashtu edhe bullizuesve. Mjediset familjare në të cilat mbretëron një klimë toksike e shprehur nëpërmes të dhunës fizike, verbale, psiko-emocionale etj, atëherë, sigurisht se kjo nuk do të rezultojë pozitivisht te fëmijët të cilet po rriten në ato mjedise”, tha Avdijaj.
Psikologu Avdijaj thotë se pasojat e bullizmit janë të mëdha te fëmijët.
“Viktimat e bullizmit kryesisht janë fëmijë apo persona që në esencë janë të traumatizuar. Të jetosh me një traumë nënkupton përballje me ndjenjën e të qënurit i kërcenuar, i pasigurtë, i frikësuar, në ankth, i pambështetur, i lënë anash, i neglizhuar, i nënçmuar, i ofenduar, i përjashtuar, pa përkatësi, i tepërt, i lënduar, i pamotiv, i dëshpëruar, i depresionuar, i izoluar, pa vullnet për të jetuar etj. Nga të gjitha këto veçori, zakonisht mund të hasen te viktimat e bullizimit”, tha psikologu Avdijaj për InLajmin.
I pyetur se si duhet luftuar kjo dukuri, psikologu Avdijaj sugjeron që prindërit të jenë më të kujdesshëm me qasjen e tyre ndaj fëmijëve, ndërsa mësimdhënësit sipas tij, duhet të shfaqin interes për bashkëpunim me nxënësit, në mënyrë që të jenë në dijeni për çfarëdo dukurie që ndodh aty.
“Filimisht, prindërit kërkohet që të jenë më të kujdesshëm në prindërimin e tyre, në sjelljet dhe mënyren se si qasen me fëmijët e tyre. Në vend të qortimit, disiplinimit të rreptë me anë të ndëshkimit le të provojnë që të jenë më të afërt, komunikues, bashkëpunues, mbështetës, shqyrtues, më të hapur, dëgjues dhe më të kuptueshëm në raport me fëmijet e tyre”, tha Avdjaj.
Përveç kësaj, psikologu Avdijaj thotë se shkollat duhet të përpilojnë planprograme për ngritje të vetëdijes për fenomenin dhe pasojat që mund të sjellë bullizmi.
“Mësimdhënësit, fillimisht kërkohet që të jenë të kujdesshëm që mos të jenë vetë ata bullizuesit kryesor. Le të jenë më të kuptueshëm, komunikues dhe vigjilentë në raport me nxënësit, le t’i njohin ndryshimet dhe dinamiken brenda klasës, të shfaqin interesim për bashkëpunim dhe afërsi me nxënësit në mënyrë që të jenë sa më shumë në kontakt dhe në dijeni për çfarëdo lloj dukurie që mund të shfaqet aty. Përpilim të planprogrameve brendashkollore në edukim dhe informim për ngritje të vetëdijes në lidhje me fenomenin bullizëm dhe për pasojat që mund t’i sjellë kjo dukuri qoftë te viktima apo edhe të vetë bullizuesi”, tha ai.
Nga ana tjetër, sociologu Leutrim Sahiti thotë se bullizmi përveç që ndikon te viktima, pasojat barten dhe te nxënësit e tjerë, pasi siç thekson ai, në një mjedis të tillë ata medoemos do të përballen me frikë dhe pasiguri.
“Bullizmi përveç që ndikon te viktima ndikon edhe tek ata që shohin veprime të tilla, e sidomos te nxënësit, të cilët duke përjetuar situata të tilla mund të përballen me frikë dhe pasiguri në atë ambient ku ndodhin sjellje apo veprime bullizuese”.
Sahiti ngre shqetësimin edhe për praninë e bullizmit virtual, i cili ndodh në rrjete sociale dhe përhapet më shpejt, e ku fëmijët gjejnë “hapësirën” për të ofenduar e për të shfaqur sjellje seksiste.
“Viteve të fundit është në rritje shqetësuese edhe bullizmi vitual që ndodh në rrjete të ndryshme sociale, ku fëmijët dhe të rinjtë shfaqin sjellje asociale, bëjnë cilësime, ofendime apo sjellje seksiste ndaj të tjerëve. Bullizmi në rrjete sociale përhapet shpejt dhe ndikimet te viktimat janë shumë të mëdha. Fëmijët bullizohen për gjëra të ndryshme, duke filluar p.sh. nga emri që mbajnë, pesha e tyre trupore, vendi nga vijnë, dialekti që folin, sjelljet që bëjnë, orientimi i tyre seksual etj”, tha Sahiti.
Bullizmi sipas sociologut Sahiti shpërfaqet si mungesë e edukimit të mirëfilltë të fëmijëve.
“Ndër shkaktarët kryesor të shpërfaqjes së bullizmit te fëmijët janë padyshim mungesa e edukimit të mirëfilltë të tyre, ndërtimi i personaliteteve agresive, mungesa e vetëvlerësimit dhe vetëbesimit, stigmatizimi i tyre, ndikimi i përmbajtjeve në rrjetet sociale dhe video-lojëra, konsumimi i substancave narkotike, problemet në familje duke u nisur nga dhuna sepse fëmijët që përjetojnë dhunë ose jetojnë në një ambient ku ushtrohet dhunë predispozitat janë shumë të mëdha që ai fëmijë do të ushtrojë dhunë te tjetri, pra dhuna “trashëgohet”, tha ai.
Sahiti thekson se pasojat e bullizmit mund të jenë psikologjike dhe fizike.
“Kur jemi te viktimat pasojat mund të jenë psikologjike por edhe fizike, në pasojat psikologjike bëjnë pjesë humbja e vetëbesimit, shfaqja e stresit, depresionit, ankthit, mbyllja e tyre në vetëvete etj, kurse pasojat fizike mund të jenë humbja në peshë, anoreksia, bulimia e deri në vetëvrasje”, tha Sahiti.
Sociologu vlerëson se parandalimi i bullizmit është i vështirë, por thekson se duhet ndërmarrë veprime të koordinuara nga shkollat, fëmijët dhe prindërit.
“Në këtë rrethana në të cilat ndodhet shoqëria jonë, duke marrë parasysh rolin minimal që kanë prindërit në edukimin e fëmijëve të tyre dhe nivelin e ulët të edukimit në shkolla, parandalimi i bullizmit është i vështirë, prandaj kërkohen strategji dhe veprime të koordinuara mirë mes institucioneve qendrore, shkollave, fëmijëve dhe prindërve”, tha sociologu Sahiti për InLajmin.
Gjithashtu ai e sheh si mjaft të rëndësishme punësimin e psikologëve dhe sociologëve në shkolla, në mënyrë që të evitohen sjelljet bullizuese.
“Bullizmi është refleksion i nivelit në të cilin gjendemi si shoqëri dhe problemeve të shumta me të cilat po përballemi andaj reduktimi i kësaj dukurie duhet të nisë nga një edukim medial dhe fushata të ndryshme me prindërit se si duhet të edukojnë fëmijët e tyre, duke instaluar rolin e psikologut dhe sociologut në shkolla, duke reduktuar qasjen e fëmijëve në përmbajtje që promovojnë dhunën dhe në fund duke pasur mekanizma të kontrollit në shkolla në mënyrë që të identifikohen fëmijët që ushtrojnë sjellje bulliste dhe që ata të jenë pjesë e programeve të risocializimit”, tha ai.
Ndryshe, InLajmi ka kontaktuar edhe me zëvendësdrejtoreshen e Shkollës Fillore “Gjergj Fishta”, Sofije Janovën, për të mësuar se sa raste të bullizmit janë paraqitur në këtë shkolla.
Ndonëse në masën e theksuar, por ka raste të bullizmit ndërmjet nxënësve e thotë edhe Janova, ndërsa në mungesë të psikologëve, shkolla ka bërë zgjidhje përmes Grupit të Ndërmjetësimit.
“Shkolla jonë deri këtë vit nuk ka pasur psikolog, andaj raste te bullizmit deri më tash nuk është që nuk janë raportuar edhe në shkollën d.m.th. ka pasur raste të tilla, mirëpo në shkollën tonë e kemi krijuar Grupin e Ndërmjetësimit, në të cilin janë trajnuar 16 arsimtarë”, tha Janova.
Sipas Janovës, Grupi i Ndërmjetësimit ka funksionuar shumë mirë, prandaj edhe numri i rasteve të bullizmit nuk është i lartë në këtë shkollë.
“Grupi i Ndërmjetësimit ka funksionuar shumë mirë, pasi i ka trajtuar të gjitha ato raste përtej kujdestarit apo mësuesit të klasës. Problemet janë zgjidhur brenda shkollës. Në vit diku 4-5 raste janë trajtuar, të cilat nuk kanë qenë shumë forma të rënda të bullizmit, prandaj ka pasur mundësi të zgjidhet përmes Grupit të Ndërmjetësimit”, tha ajo.
Ndryshe, jo pak raste të bullizmit dëgjojmë në përditshmëri, e sidomos në shkollat fillore dhe të mesme, ku ngacmimet ndërmjet nxënësve janë bërë “të pashmangshme”. E zgjidhja e vetme për parandalimin e bullizmit mbetet përkrahja e duhur morale, institucionale dhe vetëdijesimi i nxënësve për pasojat dhe efektet negative që shkakton prania e këtij fenomeni në shoqërinë tonë. Shqipe Vishaj /InLajmi/