Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të intervistojë kryeministrin Albin Kurti dhe ministren Albulena Haxhiu për rastin Dehari, raporton InLajmi.
Gruda ka kërkuar drejtësi për rastin Dehari.
“Rasti Dehari, është një rast tragjik, më të cilin nuk mund të vazhdohet të bëhet politikë, prandaj kërkojmë nga prokuroria e shtetit që të intervistojë kryeministrin Kurti dhe ministren Haxhiu për të zbardhur përfundimisht se kush dhe si i zhduku mostrat e rastit Dehari, në mënyrë që të zbardhet e vërteta e plotë e këtij rasti tragjik. Prandaj, kërkojmë drejtësi për rastin Dehari”, tha ai.
Gruda thotë se Kurti dhe Haxhiu po heshtin karshi akuzave që i përfshijnë ata në mënyrë direkte në krimin e zhdukjes së mostrave të Deharit.
“Ditëve të fundit, opinioni publik është njoftuar më fakte të reja në lidhje me zhdukjen e mostrave të rastit Dehari në Institutin e Mjekësisë Ligjore pranë Ministrisë e Drejtësisë. Pretendimet e ngritura, që përfshin në këtë rast kryeministrin Kurti dhe ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu, si pjesëmarrës në zhdukjen e këtyre mostrave në në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Kryeministri Kurti dhe Ministrja Haxhiu duhet të sqarojnë opinionin publik se çfarë dinë ata në lidhje më zhdukjen e mostrave të rastit Dehari, cilat veprime janë ndërmarrë deri tani për të zbardhur të vërtetën e plotë rrethanat e zhdukjes së këtyre provave? Pse po heshtin karshi akuzave që i përfshijnë ata në mënyrë direkte në krimin e zhdukjes së mostrave të rastit Dehari?”, shtoi ai. /InLajmi/