Tensionet e vitit të kaluar në Veri, asociacioni, mundësitë për një konflikt të ri dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO janë disa nga temat për të cilat ka folur ish-komandanti gjerman i KFOR-it, Ehard Bühler me rastin e përvjetorit të 15-të të pavarësisë së Kosovës.
Erhard Buhler kishte qenë i prerë në vitin 2011, kur ishte ballafaquar me bllokimin e rrugëve në pjesën veriore të Kosovës. Asokohe serbët po protestonin për shkak të vendosjes të pjesëtarëve të njësisë speciale të Kosovës në pikat kufitare.
“Nuk do të ketë herë tjetër. Nëse bllokohemi përsëri më duhet ta përdor forcën” ,shprehej para gazetarëve ushtaraku gjerman.
Për shkak se Buhler në krye të KFOR-it vinte nga ushtria gjermane, ngjarjet në Veri kishin tensionuar raportet Berlin-Beograd. Më vonë, një delegacion parlamentarësh gjermanë kishte çuar 7 kushte në Beograd të cilat Serbia duhej t’i plotësonte teksa ec në rrugë europiane. Aty përfshihej edhe shuarja e strukturave paralele në Veri.
Një situatë e ngjashme, rebelimi i serbëve, është përsëritur edhe në fund të vitit që shkoi – banorët lokalë për 19 ditë kishin vendosur barrikada si akt mosbindjeje ndaj Prishtinës. Buhler ka folur për Gazetën Express në 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Ai ka shprehur shqetësimet për këto tensione, por thekson se gjasat për një konflikt të ri janë të ulëta.
Gjenerali Bühler beson se anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk do të ndodh pa arritjen e një zgjidhjeje përfundimtare, derisa nënshkrimin e Asociacionit e sheh si nevojë urgjente.