Herën e fundit kur u takuan në Bruksel, në nëntor të vitit 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bartën me vete tensione dhe pasiguri lidhur me përdorimin e targave serbe në veri të Kosovës.
Në takimin e planifikuar për datën 27 shkurt, ata do të kenë përpara një propozim të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.
Se cili do të jetë qëndrimi përfundimtar i tyre, nuk është e qartë, por spekulimet se a do ta pranojnë ose jo planin, kanë përfshirë opinionin publik të të 2 palëve.
Çfarë përfshin propozimi i BE-së për Kosovën dhe Serbinë?
Ndërmjetësit ndërkombëtarë në dialogun Kosovë-Serbi u kanë prezantuar palëve planin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve në shtator të vitit të kaluar.
Në atë dokument, i cili është mbështetur nga SHBA-ja, Gjermania dhe Franca, nuk përmendet njohja reciproke apo anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara.
Në të kërkohet që Serbia të mos ndërhyjë në anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe që të 2 palët të respektojnë sovranitetin dhe integritetin e njëra-tjetrës.
Propozimi, gjithashtu, përfshin të drejta të barabarta për të 2 vendet, njohjen e simboleve shtetërore, trajtim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, përcjell REL.
Propozimi është pranuar në parim nga kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë.