Takimet në Mynih, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i vazhdoi me Drejtorin Ekzekutiv të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, përcjell InLajmi.
Thuhet se u bisedua për sektorin e energjisë në Kosovë dhe potencialin që vendi ka në fushën e energjisë së ripërtrishme.
Kurti ka theksuar planet e Qeverisë për investime në energji të ripërtrishme dhe për Strategjinë Kombëtare të Energjisë 2022-2031.
Duke folur për zhvillimet në vend, Kurti e ka njoftuar Birolin për punën e Qeverisë dhe progresin e shënuar në indikatorët ekonomikë dhe demokratikë, gjë që po dëshmohet nga raportet kredibile ndërkombëtare.
Ai theksoi mundësitë që ofron Kosova për investitorët e huaj, si dhe për masat e ndërmarra në rritjen e efiçencës energjetike dhe ruajtjen e çmimit të përballueshëm për qytetarë.
Në takim u diskutua edhe për mundësitë dhe format e mundshme të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë./InLajmi/