Pas 11 ditësh pune intensive, rreth 85 trupa, në përbërje të të cilëve ishin efektivë të Forcave të Armatosura, të Emergjencave Civile, ekipeve shëndetësore janë përcjellë me duartrokitje nga përfaqësues të autoriteteve turke, por edhe qytetarë të thjeshtë, të cilët u shprehën mirënjohjen për kontributin e tyre.
Koloneli Elton Reso tha se përgjatë këtyre ditëve të kërkim-shpëtimit janë nxjerrë nga ekipet shqiptare 26 persona të bllokuar nën rrënoja, mes të cilëve edhe disa të mbijetuar. Ai kujton si emocionues momentin kur nga rrënojat u nxorr një vajzë e vogël.
Ekipet shqiptare në koordinim edhe me emergjencat turke, AFAD u vendosën kryesisht në zonën e Malatyas.
Shqipëria iu përgjigj menjëherë thirrjes për ndihmë të Turqisë dhe brenda 24 orëve në zonat e tërmetit mbërriti ekipi i parë i parë shqiptar i shpëtimit.
Gjithashtu, në emër të pupollit shqiptar, Kryeministri i vendit Edi Rama u bë pjesë e fushatës ndërgjegjësuese, duke dhuruar 1 milion euro në ndihmë të rindërtimit.
“Krenari dhe mirënjohje pafund për 3 ekipet e vajzave dhe djemve nga Forcat e Armatosura, Emergjencat Civile dhe ekipet shëndetësore që kontribuuan përgjatë 11 ditëve në operacionet e kërkim-shpëtimit në zonat e shkatërruara nga dy tërmetet e fuqishme në Turqi.
Ata u nisën për t’u kthyer në Atdhe, duke marrë me vete edhe respektin e popullit turk, që njëherësh është vlerësim për Shqipërinë tonë. Të gatshëm dhe solidarë sa herë të jetë nevoja për kontributin tonë”,shkruan Ministria e Mbrojtjes.