Pamje të reja dhe dramatike janë publikuar nga Turqia, e cila u godit nga 2 tërmete të fuqishme më 6 shkurt.
Fshati Demirköprü, në provincën Hatay, e cila ishte më e goditura, është ndarë thuajse në 2 pjesë për shkak të çarjes së madhe që ka pësuar toka. Kjo është zona ku kalon çarja që ka pësuar korja e tokës. Disa shtëpi kanë përfunduar të shembura në çarjen e tokës që ka shkuar deri në 3 metra.
Për këtë fenomen ka folur edhe Orhan Tatar, drejtori i Përgjithshëm i Rrezikut dhe Reduktimit të Tërmeteve të AFAD.
Në një konferencë për shtyp, Tatar u shpreh se tërmetet kanë shkaktuar dëme në një sipërfaqe 110 mijë kilometra katrorë, gati 4 herë sa sipërfaqja e Shqipërisë.
Orhan Tatar u shpreh se korja e tokës ka pësuar një deformim prej 3-4 metrash, në një distancë prej 400 kilometrash, në një thellësi prej afërisht 8 deri në 10 kilometrash, shkruan Meteo Ballkan.
Për Tatar, tërmetet e fundit në Turqi kanë qenë ndër më të fuqishmit që kanë rënë në tokë jo në det. Ai theksoi se pasgoditjet do të zgjasin për shumë kohë, duke qenë se 2 lëkundjet e mëdha kanë qenë mbi 7 të shkallës rihter.