Në kuadër të Konferencës së Mynihut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zhvilloi takim edhe me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në takimin me zyrtarët e lartë të BE-së është diskutuar për procesin e dialogut dhe propozimin evropian, të iniciuar nga Franca dhe Gjermania dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Italia.
“Po ashtu u fol për takimin e radhës në Bruksel të thirrur për 27 shkurt nga Bashkimi Evropian”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, Borrell, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih, ka thënë se, normalizimi i raporteve me Serbinë është kyç për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
“U takova me Kurtin në Konferrencën e Mynihut për Siguri për të diskutuar për nevojën për avancim të propozimit të BE-së për normalizim raportesh me Serbinë, që është kyç për rrugën e Kosovës drejt BE-së. Do të takohemi në Bruksel për takim në nivel të lartë më 27 shkurt”, ka shkruar Borrell