Deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje nga radhët e Listës Guxo, Ekrem Mustafa ka folur lidhur me deklarimet e deputetit Haki Abazi se VV-ja kontrollohet nga disa njerëz dhe se shefja e Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila ngulfat zërin e deputetëve. Sipas Mustafës këto janë vetëm pretendime të Abazit.
Mustafa ka thënë se asnjëherë nuk ka pasur tendencë që t’i mohohet dikujt e drejta e fjalës.
“Unë mendoj që janë pretendime të zotit Abazi, unë të paktën nuk e kam një përvojë të tillë, nuk më është mohuar asnjëherë fjala, dhe asnjëherë s’ka ndodhur që dikush të ma kontrolloj fjalimin. Bashkëpunimi mes neve është i jashtëzakonshëm, kemi takime thuajse çdo ditë me deputetë të Vetëvendosjes, mund ta them me përgjegjësi të plotë se nuk ka dallime mes deputetëve të VV-së dhe listës sonë, këto dallime nuk ekzistojnë”, u shpreh ai
Ndërkohë, për 2 vjet qeverisje sipas Mustafës është bërë mjaft shumë punë.
“Për këto 2 vite kemi bërë mjaft me Qeverisjen Kurti, kemi një buxhet prej 3.2 miliardë euro që s’ka qenë asnjëherë më parë. Është ka punohet mirë, dhe po qeveriset mirë, janë shtuar taksapaguesit tanë edhe qytetarët tanë po paguajnë se po besojnë ndoshta në institucione, për mua çka është më e rëndësishme për këtë qeveri çka duhet të bëjmë edhe për këto dy vite që të kthehet besimi në institucione, të kthehet edhe më shumë. Deri tash është kthyer, mirëpo duhet të punohet se duhet me pas të qartë se në Kosovë, besimi në institucione ka humbur. Kjo ka ndikuar shumë që qytetarët të mos besojnë dhe të mos paguajnë tatimet, të mos besojnë në shëndetësi, në arsim. Kjo qeveri unë mendoj që është duke bërë mjaft që të kthej besimin në institucione për çka shpresoj që kemi kohë ndoshta edhe dy vite ta bëjmë më të mirën e mundshme”, deklaroi Mustafa.
Sipas tij, më e rëndësishmja brenda këtyre viteve ka qenë që Qeveria nuk ka pasur asnjë aferë të korrupsionit, shkruan TëVë1
“Më e rëndësishmja e kësaj Qeveria mendoj që është se nuk kemi për dy vite asnjë aferë të korrupsionit”, deklaroi Mustafa.