Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden i ka dërguar një letër urimi presidentes Vjosa Osmani, me rastin e 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, përcjell InLajmi.
“Në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara, ju dërgoj urimet tona më të mira për ju dhe popullin e Kosovës, gjersa shënoni 15 vjetorin e pavarësisë së vendit tuaj. Përgjatë viteve të fundit, Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë forcuar institucionet demokratike për të ofruar në mënyrë të barabartë efektive qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe mundësi për qytetarët në të 2 vendet tona”, ka thënë Presidenti Biden në letrën e tij.
Ndër të tjera, Biden ka shprehur mbështetje për integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike, si dhe për dialogun me Serbinë.
“Ne mirëpresim miratimin tuaj të propozimit të BE-së për normalizimin, me qëllimin përfundimtar të njohjes reciproke, e cila do të ndihmonte në sigurimin e një të ardhmeje më të qetë dhe më prosperuese për popullin e Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Biden. /InLajmi/

















