Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në shënimin e 53-vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës, përcjell InLajmi.
Duke folur për historinë e Universitetit të Prishtinës para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Kurti tha se si vendi ku studiohet universalja, universiteti e ka në imanencën e tij publiken, pra, edhe politikën. Andaj, themelimi i një universiteti është gjithmonë edhe një akt politik.
Më tej në fjalën e tij, kryeministri tha se nuk ka akademik, intelektual e politikan, jo vetëm nga Kosova por edhe nga Maqedonia e Veriut e Lugina e Preshevës, nga Sanxhaku e Mali i Zi që nuk ka kaluar nëpër bankat e Universitetit të Prishtinës. Madje, siç tha ai, as demonstratat qytetare e as luftën çlirimtare nuk mundemi as t’i mendojmë se lëre më t’i studiojmë a analizojmë pa Universitetin e Prishtinës
Për dekadën e 6 e Universitetit të Prishtinës, kryeministri Kurti uroi që të jetë dekadë e përplotësimit të mëtutjeshëm, me praktika mësimdhënieje të avancuara, me studentë të përkushtuar dhe shembullorë, me hulumtime shkencore si dhe publikime e botime edhe ndërkombëtare, si dhe me kontribut të vazhdueshëm, të përditshëm në sferën publike, në shoqërinë e në shtetin tonë. /InLajmi/