Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në e Hapjen e Konferencës “Kosova dhe Urbanizmi i Ri: Qëndrueshmëria, Inovacioni, Teknologjia, Qëndrueshmëria dhe Investimet”, përcjell InLajmi.
Në fjalën e tij Kurti tha se është nder prania e tij sot në prag të 15-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe të merrte pjesë në këtë konferencë të rëndësishme për të diskutuar, në frymë shkencore e profesionale, për të ardhmen e qëndrueshme të qyteteve tona, dhe për të ardhmen e qëndrueshme të shoqërisë sonë.
“Urbanizmi i Ri, me premisat e tij për të ndërtuar qytete më të qasshme; më të jetueshme; më funksionale e me më shumë vlera estetike; më të sigurta, miqësore ndaj këmbësorëve e biçiklistëve, hapësira publike më kreative e më të gjalla, është ndër përpjekjet bashkëkohore për të ndërtuar qytete që kanë në qendër të vëmendjes njeriun dhe natyrën’’,u shpreh Kurti.
Ai tha se përveç Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, janë edhe Ministria e Zhvillimit Rajonal, si dhe ajo e Administrimit të Pushtetit Lokal, të cilat, në bashkëpunim horizontal me ministritë tjera, dhe me bashkëpunim vertikal e direkt me pushtetin lokal janë duke ndërtuar politika e duke realizuar projekte që sigurojnë një zhvillim të qëndrueshëm dhe rrisin cilësinë e jetesës.
Në këtë drejtim, bashkëpunimi me akademinë, me universitetet, me fakultetet, me institutet e hulumtimit është jashtëzakonisht i rëndësishëm, theksoi kryeministri, duke shtuar se ai nuk është vetëm synim i yni i njëanshëm, por është i domosdoshëm për të ndërtuar një të sotme stabile dhe një të ardhme të qëndrueshme dhe prosperuese, për të gjithë./InLajmi/