Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, ka zhvilluar një bashkëbisedim me gjeneratën e Pavarësisë së Kosovës, nxënësit e lindur në vitin 2008 në shkollën fillore “Zef Lush Marku” në Velezhë të Prizrenit, përcjell InLajmi.
Krasniqi thotë se ka ndarë me nxënësit emocionet e papërsëritshme të Ditës së Pavarësisë së Kosovës.
Sipas Krasniqit, ëndrrat e të rinjve duhet të jenë prioriteti dhe frymëzimi i përditshëm, që të niset një etapë e re e zhvillimit të shtetit, që ato ëndrra t’i realizojnë në Kosovë.
Postimi i plotë i tij:
Sot, në shkollën fillore “Zef Lush Marku” në Velezhë të Prizrenit, zhvillova një bashkëbisedim të mrekullueshëm me gjeneratën e Pavarësisë së Kosovës, fëmijët e lindur në vitin 2008, për rrugëtimin e deritanishëm si shtet dhe ëndrrat e tyre për të ardhmen.
Ishte kënaqësi të ndaj me ta emocionet e papërsëritshme të asaj dite, si një ndër nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Ishte ëndërr e realizuar.
Ëndrrat e tyre më treguan edhe ata, përmes disa punimeve të jashtëzakonshme: Kosova si një vend i zhvilluar dhe mundësi më të mëdha për të rinjtë, Kosova pjesëmarrëse në kampionatin botëror të futbollit dhe me suksese të tjera në sport, Kosova në BE dhe në NATO – ishin disa prej ëndrrave të tyre.
Janë pikërisht këto ëndrra rinore për të cilat sot Kosova ka nevojë. Është fatkeqësi situata me të cilën po ballafaqohemi aktualisht, ku rinia jonë po e sheh realizimin e ëndrrave të tyre në shtete tjera.
Ëndrrat e të rinjve tanë duhet të jenë prioriteti dhe frymëzimi ynë i përditshëm, që bashkë të nisim një etapë të re të zhvillimit të shtetit tonë, që ato ëndrra të realizohen këtu – në Kosovën tonë.
Krahas zotimit se do të jem mbështetësi më i madh i ëndrrave që ata kanë – atyre u kërkova vetëm një gjë: Besoni në një të ardhme më të mirë – Besoni në Kosovë! /InLajmi/