Me rastin e 15-vjetorit të Shtetit të Pavarur të Kosovës, ambasada e Kosovës në Tiranë organizoi mbrëmjen e të mërkurës një pritje ku të pranishëm ishin përfaqësues të qeverisë, politikanë, ambasadorë të akredituar në vendin tonë, përfaqësues të komuniteteve fetare.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte dhe presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili në fjalën e tij vlerësoi konsolidimin e shtetit të Kosovës në këto 15 vite, transmeton Gazeta Express.
“Kosova, shtet i lirë dhe i pavarur është përmbushja e amanetit të Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit. Ishte fillimi i një epoke të re, ku shteti i Kosovës u projektua si një shtet modern, demokratik, që shihte nga e ardhmja, me një vullnet të palëkundur euroatlantik. Republika e Kosovës, një shtet sovran dhe i pavarur, ka demonstruar me fakte, pjekurinë dhe maturinë në qëndrimet e saj”, tha Begaj.