Nataliteti në Kosovë pas luftës po shënon rënie nga viti në vit, ndërsa krahas lindshmërisë së “reduktuar edhe rinia po largohet çdo ditë e më shumë nga Kosova duke vënë kështu vendin para rrezikut demografik. Gjendja aktuale me natalitetin dhe ikjen e të rinjve në vendet e 3-ta, shpërfaq rrezikun që Kosova për pak vite mbase do të rangohet në mesin e vendeve ku mbizotëron mosha e shtyrë e popullatës, shkruan InLajmi.
Dikur Kosova identifikohej në rajon si vendi me popullatën më të re, por situata aktuale, ikja e të rinjve, e rënia e natalitetit, mbase mund të prodhojë “krizë” demografike që mund ti kushtoj shtetit, kurse faktorët e rritjes së këtyre fenomeneve numërohen të shumtë.
Rënia e natalitetit dhe ikja e të rinjve po cilësohet si problem kyç për kosovarët pasi si duket tashmë të rinjtë e kanë hedhur prapa krahëve e larg zemrës dëshirën për qëndruar në vendlindje duke kërkuar mirëqenie, punë e siguri në vendet e zhvilluara evropiane.
Sipas sociologëve ky fenomen po ndodh për shkak të disa faktorëve e ata janë mungesa e perspektivës, kushtet jo të mira në punë, por edhe mungesa e besimit në institucione.
Sociologia e njohur kosovare, Flakë Ymeri në një prononcim për Gazetën InLajmi tha se nëse ritmi i ikjes se të rinjve nga vendi vazhdon më të njëjtën tempo, atëherë Kosova do të përballet me mungesë të fuqisë punëtore, sikur edhe kriza ekonomike.
“Nataliteti në rënie e rrezikon vendin tonë në një të ardhme të afërt pasi ne do të përballemi me popullatë mbi mesatare dhe nga mosha e shtyrë. Kjo bën që vendi të thellohet në kriza më të thella qoftë ato sociale ekonomike duke mos pasur zhvillim të ekonomisë dhe mungesë të fuqisë punëtore. Kjo situatë kjo bën që vendi ynë të jetë në kolaps duke mos u zhvilluar në as një sektor”, u shpreh Ymeri.
Me keqardhje, Ymeri thekson se ikja e të rinjve do ta varfëron Kosovën akoma më shumë por edhe do të ballafaqohet me mungesë të fuqisë punëtore.
“Kosova do të bëhet një vend edhe më i varfër pasi do të përballet me mungesën e fuqisë punëtore, do të ketë vetëm investime pa interes për popullatën ku pastaj do të mungoj mirëqenia për një jetë normale. Kosova ka disa investime në ndërtim po nuk ka prodhim dhe zhvillim ekonomik dhe kjo bart pasojat e së ardhmes”, tha ajo.
Mungesa e fuqisë punëtore të moshave të reja, sipas sociologes Ymeri, veçse ka filluar të shihet, ndërsa thekson se me këtë trend të ikjes së rinisë, Kosova pas 10 viteve do të jetë mbizotruar me popullatë kryesisht të moshës mesatare.
“Duke e parë këtë trend të ikjes, ne do të përballemi me mungesë të moshës së re dhe asaj mesatare dhe kjo tani veq ka filluar të vërehet”, tha për InLajmin, sociologia Ymeri.
Tutje sociologia tha se ikja e të rinjve është si pasojë e gjendjes ekonomike dhe mungesës së strategjive nga Qeveria e Kosovës, ndërsa qytetarët “parajsë” në tokë po e shohin Evropën.
“Faktori ekonomik dhe mirëqenia e dobët në vendin tonë janë faktorët që ndikojnë direkt në largimin e popullatës. Mungesa e hartimit të strategjive nga Qeveria e Kosovës dhe institucioneve të vendit ka bërë që të kemi migrim masiv jo pse qytetarët nuk e dinë që Evropa nuk është “parajsë”, por atje po kanë mundësi ta gjejnë më lehtë veten dhe ta kenë një mirëqenie më të denjë se në vendin e tyre”, tha Ymeri.
Sipas sociologes Ymeri parandalimi i trendit të ikjes së të rinjve, Qeveria duhet të angazhohet urgjent në përmirësimin e situates ekonomike.
“Qeveria e Kosovës në mënyrë urgjente duhet të ndërmarr disa hapa në përmirësimin e gjendjes ekonomike, uljen e inflacionit sepse është e pa përballueshme që të mbijetohet me këto paga të cilat i marrin. Andaj të zgjatën duart drejt popullatës dhe të ndihmohen duke u fokusuar në investimet nga jashtë dhe prodhim në mënyrë që të trajtohen dinjitetshëm punëtorët dhe të mos kenë arsye të migrojnë nga Kosova”, përfundoi sociologia Ymeri.
Rënien e natalitetit në Kosovë, fenomen shqetësues e vlerëson edhe sociologu i njohur kosovar, Halim Emerllahu ndërsa ai reduktimin e lindjeve dhe ikjen e të rinjve i lidh ngushtë më njëra tjetrën, pasi kosovarët për një jetë më të mirë zgjidhje po e shohin Evropën.
“Nataliteti si fenomen social është një shqetësim jo vetëm në Kosovë, por edhe në nivel global. Në vendet e tranzicionit është më i theksuar ka dilema ekonomike-sociale, margjinalizim social, të cilët i shtyn të largohen nga vendi, për shkak të kushteve jo të mjaftushëm për jetesën dhe sigurinë shëndetësore, dhe stabilitetin social. Dhe në këtë gjendje të vështirë me një inflacion të lartë njerëzit e sidomos moshat e reja heqin dorë nga nataliteti dhe synojnë të kërkojnë një vend ku besoj se ka një jetë dhe një ambient më të përshtatshëm social. Siç po ndodh sot në shtetin tonë që në vazhdimësi njerëzit largohen nga vendi”, tha për InLajmin sociologu Emerllahu.
Emerllahu thotë së nëse vazhdon trendi i ikjes së të rinjve nga vendi atëherë në një të ardhme të afërt në Kosovë do ketë rënie të madhe të natalitetit dhe ngritje të mortalitetit.
“Nëse ne kemi një gjendje të tillë të emigrimit, Kosova do të zbrazet saqë do të jetë një shqetësim i madh për natalitetin dhe do të ketë ngritje të mortaliteti, derisa vendi do të mbetet vetëm si një pjesë strategjike e një kontinenti evropian e shumë pak i rëndësishëm për të ardhmen e kësaj shoqërie kosovare kur bëhet fjalë për demografinë”, theksoi ai.
Sociologu Emerllahu thotë së me këtë trend të ikjes se të rinjve dhe rënies se natalitetit, demografia e Kosovës do të pësoj ndryshime drastike.
“Trendi që ka kapluar Kosovën, brenda 10 viteve do të ketë rënie drastike në natalitet dhe demografia saj do të ndryshon nëse institucionet e shtetit nuk marrin masa preventive për ta ndaluar këtë trend të migrimit që tani vetëm është një shqetësim i madh. Kjo tregon një luftë pa zhurmë por një kurdisje të një bombë demografike që shkatërron qytetarinë e një shteti”, shtoi sociologu Emerllahu.
Mëqë Kosova është vend që nuk ka prodhim industrial, për të evituar rrezikun nga rënia demografike, ndaljen e migrimit të të rinjve, qeveria duhet të fokusohet tek politika sociale, por edhe të kontrolloi tregun e egër.
“Kosova është një vend që nuk ka prodhim industrial, por Qeveria duhet të merret me politika sociale drejt një teorie sociale kapitaliste. Përveç orientimeve neoliberale duhet që dora e shteti ta kontrolloi tregun që të jetë afër individit në këtë periudhë të vështirë sociale të kësaj faze tranzitore, të një privatizimi të dobët apo të egër që fjalën kryesore e ka oligarku e jo shteti. Për këtë arsye shihet që këtu interesi është i oligarkut e jo i qytetarit”, përfundoi sociologu Emerllahu. Arjanita Osmanaj /InLajmi/